fbpx

10 gjërat që mund të mësojmë nga i madhi Steve Jobs

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Steve Paul Jobs ishte një nga misionarët dhe pionerët më të mëdhenj të shekullit XXI. Ai nuk ishte inxhinier, nuk i mbylli studimet e larta, por u tregua i aftë ta shndërronte kompaninë “Apple” në një nga më të mirat më të mirat në botë. Jobs nuk transformoi vetëm një industri, por disa prej tyre, si telefonat, celularët, kompjuterat dhe kinematografinë.

Këto janë 10 mësimet për jetën që secili nga ne mund t’i mësojë nga Steve Jobs dhe t’i praktikojë në jetën e vetë.

  1. Përqendrohu gjithmonë në gjërat pozitive dhe harroji gjërat negative.

Steve Jobs kaloi nëpër momente të lumtura dhe të vështira në jetën e tij. Ai u dha për adoptim nga prindërit e tij biologjikë. Kjo ngjarje mund ta shtynte atë lehtësisht drejt rrugëve të krimit dhe drogës, por gjithsesi, ai vendosi të përqendrohej në gjërat pozitive në jetë. Jobs i donte prindërit që e birësuan dhe i kuptoi qartë gjërat që pëlqente (si psh. kompjuterat).
Ti duhet ta përdorësh gjithashtu fuqinë e mendimeve pozitive. Mos u bëj personi që e sheh përherë gotën gjysmë bosh. Përqendro gjithë energjitë dhe përkushtimin tënd në gjërat pozitive në jetë. Nëse diçka është negative, ajo do të thithë energjitë e tua dhe ti nuk do të jesh i aftë të jetosh jetën tënde në maksimum.

  1. Udhëto nëpër botë dhe mëso gjëra të reja.

Kur Steve Jobs ishte 19 vjeç, ai vizitoi Indinë dhe e ka deklaruar në shumë intervista se udhëtimet e kanë ndihmuar të zgjerojë njohuritë e tij. Udhëtimi në një vend larg atdheut të tij i hapi mendjen në mijëra mundësi të reja.
Ne gjithashtu duhet të udhëtojmë më shumë për të mësuar mbi kultura të ndryshme dhe stile të ndryshme jetese të njerëzve anembanë botës. Nuk kemi për të mësuar mbi gjëra të reja, por do të zgjerojmë dhe horizontet tona.

  1. Gjithmonë ndërmerr risqe të llogaritura mirë.

Steve Jobs ishte një guximtar dhe kjo gjë e bëri të dallonte nga konkurentët e tjerë. Asnjë president i një kompanie nuk do ta ndërmerrte përsipër rrezikun të hidhte në treg një produkt që do të ulte shitjet e një produkti tjetër të saponxjerrë në treg nga kompania e vet. Por Jobs e mori përsipër këtë rrezik me hedhjen në treg të iPhone, ndërkohë që iPod ishte në kulmin e shitjeve të tij. iPhone i uli shitjet e iPod, por arriti të dominonte në industrinë e smartphones.
Kjo tregon se për të ecur përpara, ne duhet të ndërmarrim rreziqe, por gjithmonë duhet të llogarisim përfitimet dhe humbjet nga ato rreziqe. “Ki kurajon të ndjekësh zemrën dhe intuitën tënde” do të thoshte Steve Jobs në këto raste.

  1. Ji i zgjuar në kompaninë që drejton.

Steve Jobs përherë punësonte dhe e rrethonte veten nga mendje të zgjuara. Ai punësoi Steve Wozniak, sepse e dinte se ai ishte më i mirë se vetë Jobs në ndërtimin e kompjuterave. Disa persona të tjerë të zgjuar që punuan me Jobs, ishin John Lasseter dhe Tim Cook. Këta njerëz e ndihmuan Jobs të korrte një sukses masiv dhe ta shndërronte “Apple” në kompaninë më të suksesshme në botë.
Duhet ta rrethosh veten me persona të zgjuar për të arritur suksesin që dëshiron të arrish.

  1. Mëso nga dështimet dhe vazhdo të ecësh përpara.

Në vitin 1984, Steve Jobs u përjashtua nga puna tek kompania “Apple”. Ai mund të zgjidhte të binte në depresion për këtë gjë, por e mori këtë fakt në një mënyrë shumë pozitive. Në fjalimin e vitit 2005 përpara studentëve të Standfordit, ai tha : “Në atë moment nuk e kuptova mirë, por koha tregoi se largimi nga “Apple” ishte gjëja më e mirë që mund të më ndodhte. Madhështia e të qenurit i suksesshëm ishte zëvendësuar nga pasiguria e të qenurit një fillestar sërish, një pasiguri shumë më e madhe se më parë. Ajo gjë më ndihmoi të hyja në stadin më kreativ të jetës sime”.
Ne gjithashtu nuk duhet të trembemi nga dështimet, pasi ato nuk janë fundi i gjithçkaje. Duhet ta mendojmë dështimin si një mundësi për t’u vetëpërmirësuar.

  1. Bëj vetëm atë që dashuron vërtet.

Sërish dua të përmend fjalimin që mbajti Steve Jobs në vitin 2005 gjatë diplomimit të studentëve të Universitetit të Standfordit. Ai tha : “Gjëja e vetme që e nxiste atë të ecte përpara, edhe pse po përballej me sfida dhe vështirësi, ishte fakti që po bënte atë që vërtet donte të bënte.
Nëse ne bëjmë atë që dashurojmë vërtet, atëherë atë punë ne e bëjmë me pasion absolut. Ne nuk kemi pse të krijojmë justifikime për rastet kur nuk do të jepnim gjithçka nga vetja, pasi për gjërat që duam, ne japim gjithçka që mundemi të japim.

  1. Mëso nga të tjerët.

Kur Steve Jobs ishte në shkollën e mesme, ai ndiqte leksionet në Hewlett-Packard. Përpara moshës 21 vjeçare, ai kishte punuar për kompanite “HP” dhe “Atari”. Ai punoi në këto kompani; mësoi se çfarë bënin ato; dhe i praktikoi ato strategji tek “Apple”.
Edhe ti duhet të mësosh nga të tjerët. Nëse nuk sheh asnjë rezultat gjatë punës për të arritur diku, atëherë dëgjo dhe prano disa këshilla nga ekspertët e asaj fushe. Ndonjëherë, pak ndihmë e vogël është gjithçka që të duhet për të korrur sukes.

  1. Nuk është asnjëherë shumë vonë për të nisur diçka.

Steve Jobs ishte adoleshent gjatë kohës që punonte për  kompanitë “HP” dhe “Atari”. Në moshën 21 vjeçare, i riu entuziast Jobs nisi punën në kompaninë e re “Apple” që e ngriti vetë. Ai ishte i ri dhe me plot ide. Jobs u fokusua totalisht në forcimin e “Apple”.
Nëse një sipërmarrës nis një biznes të ri në moshë të re, ai ndjen më pak trysni. Në moshë më të madhe, secili përqendrohet më tepër tek familja, ose tek karriera. Pra, i duhet të zgjedhë midis të dyjave. Kurse kur je i ri, ti ndërmerr risqe të shumta, sepse je më i lirë të ringrihesh sërish, nëse dështon. Ndaj, gjeje momentin dhe nise diçka, sa je në kohën e duhur.

  1. Pengesat janë një mundësi për të korrur sukses.

Steve Jobs dhe Wozniak ishin bashkëthemelues të “Apple Inc”. Gjatë kohës që po prodhonin kompjuterin e parë “Apple”, ata ngelën pa lekë. Ata mund të hiqnin dorë nga ëndrra e tyre e ndërtimit të një kompjuteri, por jo, ata vendosën të vazhdonin. Steve Jobs shiti furgonin e tij, ndërsa Wozniak shiti makinën e tij llogaritëse grafike dhe arritën të mblidhnin disa të ardhura.
Ndaj, shikoji vështirësitë si një mundësi për t’ia dalë mbanë. Nëse do vërtet të bësh diçka, do ta gjesh gjithmonë një mënyrë për ta realizuar atë gjë. Në momentin që do të mendosh kështu, asgjë nuk do të të ndalë përpara vështirësive të jetës.
“Unë jam i bindur se gati gjysma e asaj që ndan sipërmarrësit e suksesshëm nga ata jo të suksesshëm, ka të bëjë me këmbënguljen”, – Steve Jobs.

  1. Gjithmonë kujto se nuk je i pavdekshëm.

Gjatë fjalimit përpara studentëve të Standfordit, Jobs tha : “Të kujtoj se do të vdes së shpejti, është gjëja më e rëndësishme që më ka ndihmuar të bëj zgjedhjet më të mëdha në jetë. Sepse pothuajse gjithçka, – gjithë pritshmëritë, krenaritë, frikërat nga turpi apo dështimet – të gjitha e humbasin kuptimin përpara fytyrës së vdekjes, duke lënë vetëm atë që është më e rëndësishme”.
Sa herë që ndihesh në depresion, konfuz, i turpëruar, apo ndjen emocione negative, kujto vetëm diçka : Ti nuk je i pavdekshëm. Ti do të vdesësh pas disa kohësh, ndaj në vend që të ndihesh në depresion, sigurohu të jetosh sa më bukur çdo sekondë të jetës tënde.

Edhe pse Steve Jobs ka ndërruar jetë, ajo çfarë ai i dhuroi kësaj bote, do të jetë me ne përgjithmonë. Ai ishte një person frymëzues, i cili ka qenë dhe vazhdon të respektohet nga shumë persona anembanë botës. Mënyra se si ai e jetoi jetën e tij personale dhe profesionale, është një mësim për të gjithë ne. Nëse ne i ndjekim këto mësime, atëherë me siguri do të korrim sukses në jetë.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Ketu s’do jem

Tjetra

Çfarë i bën meditimi trurit?

TË FUNDIT NGA RUBRIKA