Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Mitrovicës, tha sot se dikush ka dëshirë ta ndajë Mitrovicën dhe territorin e Kosovës, mirëpo siç tha ai një gjë e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë.
Bahtiri këtë deklaratë e bëri në manifestimin gjithëkombëtar “Dita e Plisit”, i cili u mbajt në kullën e heroit kombëtar Isa Boletini, në fshatin Boletin të Mitrovicës.
Bahtiri nga kulla e Boletinit, iu dërgoi të fala atyre që duan ta ndajnë Mitrovicën dhe Kosovën, duke iu thënë se do t’iu dal goxha punë.
Dikush dëshiron të na ndajë Mitrovicën, e këtë territor. Por, ta dini se sa është gjallë qyteti i Mitrovicës dhe Isa Boletini kjo nuk do të ndodh. Kemi amanet nga ata qe kanë rënë për këtë tokë. Bahtiri do t’ju prin deri në fund, pavarësisht kërcënimeve se askush s’më frikëson. Ju bëj të fala atyre që mos ta prekin Mitrovicën dhe territorin e Kosovës se goxha punë do t’iu dal me neve
ka thënë Agim Bahtiri – Kryetar i Komunës së Mitrovicës.
I pyetur se kur do të bëhet përurimi i rivitalizimit të Urës së Ibrit, ai shkurt tha:
Ura ka me u hap.
Pavarësisht deklaratave mediatike të kryetarit Bahtiri, edhe pse punimet për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë kanë përfunduar, ende nuk dihet saktë se kur do të bëhet përurimi i saj në mënyrë që qytetarët nga të dy anët e qytetit të mund të lëvizin lirshëm.
Ndryshe, kanë kaluar dy vite që nga fillimi i punimeve për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që përkon me lirinë e lëvizjes.