fbpx

Ambasadori i SHBA-ve: Në Kosovë disa qeveritarë marrin mito, ka ardhur koha të luftohet korrupsioni

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Është hapur sot “Java Kundër Korrupsionit 2018”, ku morën pjesë ambasadorët e shteteve të Quintit, të cilët përçuan mesazhin e tyre për luftimin korrupsionit në Kosovë.

Natalyia Apostolova, shefe e Zyrës së BE në Kosovë tha se korrupsioni si fenomen e prishë imazhin e Kosovës.

Ajo tha se një pako e ligjeve për luftimin e korrupsionit janë miratuar, por edhe duhet të zbatohen.

“Kemi kërkuar nga autoritetet e Kosovës të marrin veprime të rrepta kundër korrupsionit…”, theksoi ajo.

Philip S. Kosnett, ambasadori i ri i SHBA-së në Prishtinë ka thënë se Kosova ka miratuar 9 ligje dhe reforma në sektorin e drejtësisë, por sipas tij, disa qeveritarë marrin mito, ndërhyjnë në sistemin drejtësisë dhe punësojnë të afërmit e tyre, e kjo sipas tij, duhet të stopohet.

“Në Kosovë ka zyrtarë që shpeshherë e vendosin në prioritet çështjen personale para asaj të shoqërisë. Ka ardhur koha që duhet të veprohet në luftimin e korrupsionit”, ka thënë Kosnett.

Ambasadori i Britanisë, Ruari O’Connell ka thënë se në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe i sigurt, duhet të luftoj korrupsionin, sikur që luftohet në Britani.

Ai ka shtuar se në sistemin e drejtësisë ka ndërhyrje nga pushtetarët.

Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi ka thënë se asnjë vend nuk është imun prej korrupsionit, e as Kosova, raporton KP. “Transparenca është e domosdoshme kur ka fonde publike, siç është sektori i prokurimit. Korrupsioni pengon potencialin ekonomik, shoqëror e politik dhe lufta kundër korrupsionit duhet të ndodhë…”, theksoi ai.

I ngarkuari me punë në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss ka thënë se korrupsioni ka të bëjë me lakminë që të merren të mirat e shoqërisë. Kjo thjesht sipas tij, e minon të ardhmen e qytetarëve.

“Dëshirojmë që mos të ketë korrupsion dhe parat e qytetarëve mos të shkojnë në xhepat e të korruptuarve. Të prehet korrupsioni, sepse sa më pak korrupsion aq më shumë do të ketë zhvillim ekonomik”, tha ai.

Ambasadori i Francës, Didier Chabert theksoi se Kosova ka miratuar ligjet kyçe për konflikt interesi, andaj Kosova duhet bëhet shembull për luftimin e kësaj të keqe.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Vuçiq në panik: Kosova po përgatit tri masa të reja ndaj Serbisë, secila më e rëndë se tjetra

Tjetra

Qeveria do të ndajë shtesa të pagës për prokurorët special që luftojnë korrupsionin

TË FUNDIT NGA RUBRIKA