fbpx

Ana e panjohur: Përgatitja politike e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 (II)

Shkruan: Blerim Shala

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Shumë hapa dhe të gjitha rrugët e mundshme politike dhe luftarake, do të kaloheshin prej 2 korrikut (1990) e tutje. Por, ky hapi i parë, tregoi qartë drejtimin që mori Lëvizja politike e vendit, që u shndërrua pastaj në Lëvizjen për pavarësinë e Kosovës.

LDK dhe ‘Alternativa kosovare’, në anën tjetër, kishin vepruar asokohe mençur politikisht (pa pasur aspak përvojë politike, gjë që është fenomen në vete, veçmas nga perspektiva e sotme), duke iu shmangur konfrontimit me ato autoritetet formale kosovare, në Këshillin Ekzekutiv/ Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës.

Për më shumë, në atë periudhë pati nisur një komunikim i kujdesshëm, i fshehtë, midis përfaqësuesve të kësaj Lëvizjeje, Këshillit Ekzekutiv dhe Kuvendit të Kosovës, që do të rezultojë më pas me një bashkëpunim dhe bashkërenditje të veprimeve, të cilat do të sjellin tek 2 korriku, Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, por edhe të ngjarje të tjera të rëndësishme për zhvillimet politike në vend.

Sidoqoftë, duhej të gjendej preteksti për ta bërë atë veprimin e duhur politik dhe kushtetues, duke ruajtur, në njërën anë, Lëvizjen politike të krijuar, dhe duke ofruar akte dhe veprime që thirreshin në një legjitimitet dhe legalitet brenda sistemit ekzistues të Kosovës.

Gjithçka tjetër në atë kohë do të ishte e paracaktuar për dështim, apo, Kosova si vend, nuk do të arrinte ta zinte hapin me zhvillimet e shpejta dhe dramatike të kohës në atë shtetin e përbashkët.

Tashmë kishin marrë hov, në të gjitha njësitë federale të ish-RSFJ-së, diskutimet për amandamentimin e Kushtetutës së kësaj federate.

Edhe politika zyrtare e Kosovës ishte pjesë e këtij debati.

Megjithëse Kosova ishte goditur rëndë, në marsin e vitit 1989-të, me ato zhvillimet e njohura në Kuvendin e Kosovës me abrogimin e autonomisë politike, ajo tutje e gëzonte statusin e njësisë federale, me të drejtat thuaja të barabarta me gjashtë republikat e kësaj federate.

Në këtë kontekst ta zëmë, Kushtetuta e RSFJ-së nuk mund dot të amandamentohej dhe të ndryshohej pa pëlqimin e autoriteteve më të larta të Kosovës, duke përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës. Thënë edhe më qartë, Kosova posedonte të drejtën e veto-s për ndryshimin e Dokumentit themelor të shtetit të atëhershëm të përbashkët. Këtë të drejtë Kosova e kishte fituar me Kushtetutën e Kosovës, dhe të RSFJ-së, të vitit 1974-të. Kjo e drejtë kishte mbetur në fuqi edhe pas atyre ngjarjeve të dhimbshme dhe të rënda të marsit të vitit 1989-të.

Ishte ky rasti më i mirë i mundshëm (realisht, ishte rasti i vetëm i mundshëm, në ato rrethana), që edhe Kosova të përfshihej në atë fushëbetejën e madhe politike dhe kushtetuese që kishte marrë hov në të katër anët e RSFJ-së.

Ky debat pra, dhe vendimmarrja që kishte legalitetin e vet kushtetues dhe legjitimitetin formal, i kishte dhënë të drejtë Kosovës që ajo, objektivisht ta bllokojë reformën kushtetuese në RSFJ, duke insistuar në dëgjimin e zërit të saj, dhe duke provuar për ta marrë edhe ajo hisen e vet në gjithë këtë ndërmarrje të përbashkët.

Kjo mundësi u pati kuptuar dhe lexuar drejtë nga Lëvizja politike shqiptare e sapolindur, nga LDK dhe ‘Alternativa kosovare’, ku një rol të posaçëm, në artikulimin e këtij diskursi të ri politik kanë pasur Fehmi Agani, në emër të LDK-së (me përkrahjen e madhe të liderit të saj, Dr.Ibrahim Rugovës), dhe Gazmend Zajmi, si përfaqësues i Akademisë së shkencave dhe arteve të Kosovës.

Agani dhe Zajmi, që kishin një histori të gjatë të bashkëpunimit, do të jenë autorët kryesorë të një qasjeje të re politike të Lëvizjes së madhe të Kosovës, sipas të së cilës, Kosova, me aq kapacitet dhe potencial politik që kishte (fare modest në këtë aspekt, kjo dihej prej të gjithë faktorëve relevantë në vend, por gjithashtu dihej edhe prej pushtetit të Serbisë), duhej të inkuadrohej në një konfrontim apo përplasje kushtetuese me Serbinë dhe me njësitë tjera të federatës së atëhershme, duke ndryshuar në mënyrë thelbësore ‘Rregullat e lojës’ (që ishin në fuqi), duke faktorizuar sa më shumë që ishte e mundur Kosovën, dhe duke përgatitur, në aspektin kushtetues, terrenin për shpalljen dhe krijimin e Republikës së Kosovës.

Pra, me këtë qasje, do të ndodhte zgjerimi i Lëvizjes politike edhe në institucionet e Kosovës, apo, do të bëhej një bartje e suksesshme e kësaj Lëvizjeje prej selisë së saj (në Shoqatën e shkrimtarëve të Kosovës), prej shesheve dhe rrugëve të vendit (ku bëheshin protestat e shumta), edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës.

Akademia e shkencave dhe e arteve e Kosovës, do të dilte në atë kohë (në muajin qershor) me një Analizë dhe rekomandim shumë të qartë se çfarë duhej të bënte Kosova, kur flitej për amamdamentimin e Kushtetutës së RSFJ-së, teksa Gazmend Zajmi, në bashkëpunim me Fehmi Aganin, do ta përgatiste Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës të 2 korrikut.

Në anën tjetër, LDK dhe ’Alternativa Kosovare’, të dielen, me 1 korrik, apo një ditë para Mbledhjes së Kuvendit të Kosovës (kur tashmë dihej se çfarë do të ndodhte të nesërmen në këtë institucion të vendit), do ta mbanin një Mbledhje, në ndërtesën e Pallatit të rinisë, ku do të konstutuohej Forumi Demokratik i Kosovës, që ishte një lloj i Parlamenti alternativ i Kosovës, i cili tubonte, me një përpjestim të supozuar të ndikimit apo influencës që kishin në atë Lëvizjen politike, përfaqësuesit e të gjitha subjekteve që përbënin ’Alternativën e Kosovës’.

Forumi Demokratik ishte supozuar të shërbejë si një trup për bashkërenditjen e veprimeve të ‘Alternativës kosovare’, sepse supozohej, me të drejtë, që Kosova, pas 2 korrikut, do të hynte në një fazë më të ndërlikuar, më të rëndë dhe më të rrezikshme politike.

Nuk ka pasur iluzione në atë kohë që Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, do të përkrahej nga dikush në atë politikën zyrtare të republikave të ish-RSFJ, apo, edhe në një rrafsh ndërkombëtarë, edhe pse ky qëndrim i Kuvendit të Kosovës i ka shkuar për shtati tendencave në rritje në Slloveni dhe në Kroaci, për krijimin e shteteve të pavarura.

Pastaj, autorët e kësaj Deklarate, dhe në përgjithësi, ‘Alternativa Kosovare’, e pati vlerësuar me të drejtë që një akt dhe një veprim i këtillë i Kuvendit të Kosovës, është i domosdoshëm, i arsyeshëm dhe i justifikueshëm, për ta ngritur ‘çmimin politik’ të Kosovës në rrethanat e atëhershme në RSFJ dhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe mbi të gjitha, për t’i dhënë udhë të qartë Lëvizjes politike të sapokrijuar, me LDK-në dhe Dr.Rugovën në ballë të saj.

Në anën tjetër, në ato ditët para Mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të 2 korrikut, nuk ka pasë shumë të panjohura as kah pala e Kosovës, dhe as kah pala e Serbisë çka do të ndodhë tash e tutje në Kosovë, dhe në relacionet e pushtetit të Serbisë me Kosovën.

Tek e mbrama, sa i përket kosovarëve, atmosfera e krijuar në majin, qershorin e vitit 1990-të, të shpiente natyrshëm te një lëvizje të këtillë të Kuvendit të Kosovës, dhe autoritetet e Beogradit nuk kanë qenë aspak të befasuara me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, ’Alternativa kosovare’, pati kuptuar në atë javën e fundit të qershorit, që sipas të gjitha gjasave, kundër-goditja e Serbisë do të jetë shumë e rëndë, dhe pa kurfarë mëshire, ndërsa atëherë, kosovarët nuk kanë pasur kurrfarë mundësie që këtë veprim politik ta përcjellin me çfarëdo konfrontimi policor dhe ushtarak me Serbinë. Diçka e tillë do të ishet vetëvrasje politike, me pasoja lehtë të imagjinueshme për zhvillimet në Kosovë.

Mbyllja e Radio-Televizionit të Prishtinës, transmetuesit shtetëror, i cili në muajtë e fundit ishe rreshtuar me të gjithat kah Lëvizja politike shqiptare, pritej të ndodhte me të shpejtë pas këtij akti të Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, flitej edhe për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe për aplikimin e masave të reja të jashtëzakonshme.

Kështu edhe do të ndodhë, të enjten pasdite, me 5 korrik.

Qytetarët e Kosovës, brenda tre ditëve, prej të hënës, me 2 korrik, deri të enjten, me 5 korrik, kështu, i përjetuan dy disponime krejtësisht ekstreme: Prej një ekzaltimi të madh që më në fund, arritëm ta shpallim Republikën e Kosovës përmes institucioneve zyrtare të saj, tek një dëshpërim i madh kur tri ditë më pas, u kuptua, prej të gjithë neve që ishim këndejpari në atë kohë, që në të vërtetë, Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, është vetëm hapi i parë në një rrugë të gjatë e cila në fund duhet ta bënte Kosovën të lirë.

Askush prej nesh në atë kohë nuk ka mundur as ta imagjinojë sa e gjatë do të jetë kjo rrugë.

Por çfarë ka qenë e qartë qysh atëherë ishte që ky hap i Kuvendit të Kosovës ka qenë i domosdoshëm, dhe që qytetarët e Kosovës janë të gatshëm ta paguajnë çdo çmim që një herë e përgjithmonë të bëhen zot të fatit të vet dhe të Kosovës.

Kështu edhe do të ndodhë, me çlirimin e Kosovës, në qershorin e vitit 1999-të (nëntë vjet më vonë, në këtë Kalendarin historik të popujve, nëntë vjet objektivisht janë fare pak), dhe me pavarësimin e Kosovës, në shkurtin e vitit 2008-të (tetëmbëdhjetë vjet më pas, që poashtu nuk çon shumë peshë në këtë kontekstin historik të fatit të kombeve).

Shumë hapa dhe të gjitha rrugët e mundshme politike dhe luftarake, do të kaloheshin prej 2 korrikut të vitit 1990 e tutje. Por, ky hapi i parë, i Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, ka treguar qartë drejtimin që mori në atë kohë Lëvizja politike e Kosovës, që së shpejti do të shndërrohej në Lëvizjen për pavarësinë e Kosovës.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Grenell: Më 10 Korrik të mbyllet qështja e liberalizimit të vizave për Kosovën

Tjetra

Ganimete Musliu mobilizohet më tepër se që duhet kundër koronavirusit

TË FUNDIT NGA RUBRIKA