Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka konfirmuar të hënën se nuk do të kandidojë për rizgjedhje si kryetare e partisë së saj, Unionit Kristian-Demokrat (CDU) në dhjetor, gjë që shënon fillimin e fundit të dominimit të saj 13-vjeçar në politikën evropiane.
“Së pari, në kuvendin e CDU-së të dhjetorit në Hamburg, nuk do të kandidoj për postin e kryetares së CDU-së”, u ka thënë ajo gazetarëve, pas rezultatit të dobët që ka shënuar partia e saj në zgjedhjet rajonale të së dielës.
“Së dyti, ky mandat i katërt është i fundit i imi si kancelare e Gjermanisë. Në zgjedhjet federale më 2021, nuk do të kandidoj sërish për postin e kancelares, as si kandidate për Bundestagun dhe… nuk do të synoj ndonjë post tjetër politik”, ka thënë ajo.
Këtë e ka konfirmuar edhe një burim i lartë i partisë.
Merkel ka qenë kryetare e CDU-së që nga viti 2000 dhe heqja dorë nga kjo pozitë do të fillojë me një garë brenda partisë.
Partia Kristian-Demokrate (CDU) e Merkelit ka arritur të jetë e para në zgjedhjet e mbajtura në shtetin Hese, mirëpo me vetëm 27.2 përqind të votave, bazuar në rezultatet preliminare. Ky rezultat ka shënuar rënie të madhe në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 2013, kur kjo parti kishte fituar 38.3 për qind të votave.