fbpx

Çfarë kanë të përbashkët, Mini – Shengeni Ballkanik dhe Memorandumi II i Akademisë serbe nga Agim Zogaj

Pikërisht, 25 vjet pas publikimit ( 1986 ) të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, në vitin 2011 u njoftua se, po e njëjta akademi e shkencave serbe ka përgatitur Memorandumin II. Autorë të Memorandumit II ishin po të njëjtit akademikë serbë, të cilët edhe e kishin hartuar Memorandumin e vitit 1986, pra, Dobrica Qosiqi, Lubomir Tadiqi ( babai i ish presidentit serb, Boris Tadiç), Matija Beçkocii, Antonije Isakoviçi, Dushan Kanazari, Mihajlo Markoviçi, Kosta Mihajloviçi, etj. Derisa, për realizimin e Projektit të “Serbisë së Madhe”, Memorandumi i Akademisë serbe i vitit 1986, parashihte edhe luftërat e popullit dhe të shtetit serb, Memorandumi II i vitit 2011 ndërsa, e kishte , po të njëjtin objektiv të doktrinës nacionale serbomadhe, por, në rastin përkatës, me vënien në veprim të diplomacisë së jashtme serbe. Ish ministri serb, nacionalisti dhe antishqiptari, Vuk Jeremiç, në vitin e hartimit të Memorandumit II të akademikëve serbë deklaronte se:” Mbrojtja e interesave të popullit serb në rajon, është interes imperativ politik, historik e moral”! Kurse Dobrica Qosiçi deklaronte: “ Disfatat serbe nuk kanë përfunduar”!

Duke i analizuar, disa nga objektivat themeltare politike të Memorandumit II të akademikëve serbë ( 2011 ) dhe veçmas, strategjinë e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme nacionale të Serbisë kundrejt Kosovës, mund të nxirren disa reflektime, në kohë dhe hapësirë, për fuqinë shkatërruese dhe shumë të rrezikshme të politikës serbe ndaj shtetit tonë të pavarur. Në radhë të parë, edhe nga përmbajtja e Memorandumit II të Akademisë serbe, sidomos nga veprimet e shtetit serb që, përmes diplomacisë të jashtme dhe ndërhyrjeve në zhvillimet e brendshme në Kosovë, mund të shihet objektivi qendror i Serbisë: të pengojë, me çdo kusht, pra, edhe me propagandën e paskrupullt të shërbimeve sekrete serbe, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës! Ta shfajësoj, para opinionit ndërkombëtar, Serbinë për luftërat pushtuese që i ka kryer në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci. Ta paraqes, Serbinë e sotme, si “ model” të shtetit i cili gjoja na qenka shndërruar, nga agresori i djeshëm, tani në faktor “paqeje”!?

Në këtë linjë, duhet parë edhe platformën dhe projektin e përbashkët, Beograd, Tiranë, Shkup për Mini – Shgengenin Ballkanik! Pa dyshim Projekti, Mini – Shengeni Ballkanik folenë e ka në Beograd, pse jo edhe në Moskë, duke synuar, mjeshtërisht, që, Serbinë, institucionet shtetërore të saj, t’i shfajësoi nga përgjegjësitë historike, ndërkombëtare për krime lufte, deri në gjenocid! Por, vrasja, brutale e fëmijëve, grave, pleqve, pra, e civilëve, përmes një lufte pushtues, siç i ka zhvilluar Serbia në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, nuk ka tjetër emërtim, pos, gjenocid serb mbi njerëzimin!

Qeveria shqiptare në Tiranë, mban përgjegjësi historike, kombëtare, për krijimin e rrethanave diplomatike, ndërkombëtare ( edhe me Projektin e Mini – Shengenit Ballkanik ) përmes të cilave marrëveshje ndërshtetërore, Serbisë po i mundësohet , të faktorizohet në dëm të Kosovës dhe të çështjes sonë mbarëkombëtare ! Kjo aq më parë, është e pa pranueshme, njëzetë vjet pas, kur ende, nga varret e bashkëkombësve tanë del, aromë vdekje, të shkaktuara nga masakrat e shtetit serb, pjesë e të cilave ushtri vrastare ishte edhe vetë kryetari Vuçiç!

Gjithsesi, lexuesi, le ta analizojë përmbajtjen e disa theksimeve qendrore të Memorandumit II ( 2011) të akademikëve serbë, duke bërë krahasime me zhvillimet e djeshme dhe të sotme , të krijojë përshtypjen reale për pasojat të cilat mund të na vijnë edhe nga Mini – Shengeni Ballkanik.

Memorandumi II i akademisë serbe, i cili, realizimin e Projektit të “Serbisë së Madhe” e projektonte me mjete të diplomacisë, por, jo vetëm të saj, tekstualisht insistonte që: 1. Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera në luftërat në ish Jugosllavi; 2. Kujdesi i opinionit publik të zhvendoset kah akuzat dhe proceset gjyqësore kundër qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës. ( Gjithsesi, veçmas edhe pas vitit 2011, politika shtetërore dhe diplomacia e Serbisë, aktivisht veproi dhe vepron në përhapjen e trillimeve, mashtrimeve, inskenimeve, me çdo kusht kundër luftës së drejtë, për çlirim, liri, të popullit të Kosovës me në krye Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata, trillimi, falsifikimi i hapur shovinist i kryetarit serb, Vuçiç për masakrën serbe në Reçak është skenar i njohur për të zhvendosur vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, serbë nga, e vërteta, për masakrat serbe në Kosovë. A. Z ); 3. Të shmanget vëmendja e opinionit nga Gjykata e Hagës ( Fjala është për kohën e gjykimeve të kriminelëve serbë. A.Z ); 4. Bosna e Hercegovina, Kosova të detyrohen të tërhiqen nga padia kundër Serbisë nëpër Gjykatat ndërkombëtare; 5. Serbia të jetë, vihet, në pozitë të njëjtë me shtetet e dëmtuara të rajonit; 6. Të insistohet në mbylljen e Gjykatës së Hagës; 7. Gjykimi i Ratko Mlladiçit të zhvillohet në Serbi; 8. Të destabilizohen Qeveritë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë ( Do të jetë, gjithnjë e hapur mundësia për të vërtetuar, argumentuar rolin që Shërbimet e fshehta të Serbisë dhe të aleatëve të saj sllavë, patën, jo vetëm në trazirat e vitit 2004 në Kosovë ? A.Z ); 9. Të provokohen pakënaqësi të brendshme në rajon ( Politikë e vazhdueshme e shtetit serb kundrejt Kosovës, duke mobilizuar, jo vetëm politikisht, popullatën serbe në Veri si dhe nëpër enklavat serbe në Kosovë. ( A. Z ); 10. Të dobësohen, veniten akuzat kundër Serbisë; 11. Të përkrahet pavarësimi i Republikës serbe në Bosnjë e Hercegovinë; 12. Të insistohet në statusin e elementit konstituiv të serbëve në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci e në Mal të Zi ( Insistimi i shtetit serb për krijimin Bashkësisë serbe në Kosovë me ingerenca ekzekutive, por edhe për dhënien e statusit të entitetit konstituiv për serbët kosovar . A . Z ); 12. Të pengohet pavarësimi , shkëputja e Vojvodinës; 13. Të pengohet rajonalizimi i Serbisë ( Trysni e vazhdueshme, jo vetëm institucionale ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore për t’i lënë trojet e tyre etnike. A. Z ); 14. Të dobësohet veprimtaria e Bashkësisë Islame në Sanxhak.

Prandaj, Qendrat e vendosjes shtetërore, politike në Tiranë dhe në Prishtinë, në bashkëpunim edhe me Akademitë tona përkatëse, dhe të gjitha institucionet tjera kombëtare duhet të fillojnë hartimin e Programit nacional, me objektivat deri në fund të shekullit XXI.

Neogazeta
Shperndarje
Lajmi paraprak

Bashkimi Ballkanik, sipas Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës nga Erl Kodra

Lajmi tjetër

Lojërat e pushtetit të Putinit mund të dalin jashtë kontrollit nga Konstantin Eggert

MË TË FUNDIT nga KATEGORIA