fbpx

Ekskluzive: Flet mjeku personal i Isa Mustafës në Gjermani

/
Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Ish-shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, ka katër javë që është duke qëndruar në qendrën e rehabilitimit fizioterapeutik, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë. Gjendja shëndetësore e tij po shkon drejt përmirësimit. Mjeku personal i Mustafës nga kjo Klinikë, Halil Krasniqi, ka folur ekskluzivisht për Express-in rreth trajtimit dhe gjendjes shëndetësore, që po merr kreu i LDK-së në Gjermani. Mjeku thotë se Mustafës tërësisht i është kthyer funksionaliteti i muskujve

Ka katër javë që ish-lideri i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, është duke u marrë rregullisht me ushtrime fizioterapeutike në Gjermani. Madje, ai me kënaqësi dhe vullnet shumë të madh po i kryen ushtrimet fizikale rregullisht për çdo ditë në qendrën kompetente të rehabilitimit fizioterapeutik. Kështu po thotë doktori i cili personalisht po e trajton Mustafën në këtë Klinikë. Këto ushtrime u bënë të detyrueshme për Mustafën, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, e cila fillimisht i erdhi nga një grip.

Doktori nga Kosova, por që jeton dhe punon në Gjermani, Halil Krasniqi, i cili është edhe shef i klinikes vaskulare dhe endovaskulare, ka disa javë që është duke u marrë me trajtimin shëndetësor të ish-shefit të Qeverisë, Isa Mustafa. Krasniqi, në një deklaratë për Gazetën Express, ka dhënë detaje të reja deri më tani rreth gjendjes shëndetësore të Mustafës.

Krasniqi thotë se Mustafa është shtrirë në këtë klinikë pas ftohjeve respiratore që kishte pasur e të cilat nuk i kishte trajtuar me kohë. Si pasojë e kësaj, gjendja shëndetësore e Mustafës manifestohej me dobësim të aftësive lëvizëse të motorikës dhe muskulaturës.

“Ne jemi shumë të lumtur me sukseset avancuese në kthimin e funksionalitetit muskulor në tërësi. Këtë përmirësim fiziologjik edhe e kemi pritur nga trajtimi i deritanishëm ngase klinika e përgjithshme, është mjekuese”, ka thënë doktori që po e trajton Isa Mustafën në Gjermani.

Specialisti i Kirurgjisë së Përgjithshme në Gjermani, Halil Krasniqi, ka shpjeguar se ky dobësim i muskujve është shumë i shpeshtë në Gjermani. Ai ka thënë se pritjet e doktorëve të Klinikës në të cilën gjendet ish-kryeministri Isa Mustafa, janë të mira dhe se gjendja shëndetësore e tij pritet të rikuperohet deri në 89 për qind.

“Ky dobësim nervor i muskulaturës është i shpeshtë edhe në Gjermani dhe personave të tillë me terapi konsekuente fizikale iu rikthehet me tepër se 89%, tërë normaliteti funksional muskulor. Përmbledhja shëndetësore e përgjithshme e prof. Mustafës është e kënaqshme dhe se gjendja shëndetësore është duke u përmirësuar çdo ditë”, ka shpjeguar shefi i Klinikës Vaskulare në Gjermani, Hail Krasniqi.

Tutje, specialisti i Kirurgjisë së Përgjithshme në Gjermani, Dr. Med. Halil Krasniqi, ka treguar për ecurinë e rehabilitimit të Isa Mustafës. Tregon se ekzaminimet medicinale të tij janë pa shenja patologjike. Mjeku Krasniqi thotë se Mustafa ushtrimet e përditshme të tij i quan “sport të moshës përkatëse për ripërtëritjen trupore”.

“Në qendrën e ekspertizës dhe kompetencës së rehabilitimit fizioterapeutik, profesori gëzon ushtrime të përditshme rekonvaleshente. Te profesori, të gjitha ekzaminimet medicinale laboratorike dhe rentgenologjike janë deri më tani normale dhe pa shenja patologjike”, shpjegon mjeku Krasniqi për gjendjen e Isa Mustafës.

Megjithëkëtë, Isa Mustafa do të duhet që edhe për një kohë të qëndrojë në qendrën kompetente të rehabilitimit fizioterapeutik, “Helios”, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë. Doktori shprehet optimist për përmirësimin e gjendjes së ish-kreut të Qeverisë. Thotë se me disiplinë të fortë psikofizike Mustafa do të arrijë të shërohet plotësisht.

“Ne jemi të sigurt sipas përvojës dhe përmirësimit shumë progresiv, se prof. Isa Mustafa pas disa javësh do t’u kthehet me angazhim të plotë impenjimeve dhe jetës normale në Kosovë. Me disiplinën e fortë psikofizike dhe qëndrimin konsekuent të një personaliteti të përsosur, me kënaqësi shumë të madhe kryen ushtrimet fizikale rregullisht dhe çdo ditë”, tregon mjeku.

Ndërkaq, mjeku i cili po e trajton Mustafën po del të jetë mjaft i avancuar. Ai thotë se është shef i klinikës vaskulare dhe endovaskulare, specialist i kirurgjisë së përgjithshme, specialist i kirurgjisë vaskulare, specialist endovaskular, kirurg estetik, specialist i urgjencës, specialist i kirurgjisë intensive, radiologjist intervent, radiolog i diagnostikës dhe mamografisë, defektolog i diplomuar, logoped i diplomuar, psikoterapist, si dhe terapist familjar, individual dhe i çiftit.

Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç thuhet, për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani.

Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të larta në hierarkinë komuniste para viteve të 90-ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike, si në Bordin e UP-së. Një kohë ka shërbyer si këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e kryetarit të LDK-së.

Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Majlinda Kelmendi

Tjetra

Juncker: Asnjë vend i Ballkanit në BE pa zgjidhur problemet kufitare

TË FUNDIT NGA RUBRIKA