Shkuarja në zgjedhjet e parakohshme dhe formimi i qeverisë së re ka bërë që të shtohet numri i ministrive, por në të njëjtën kohë, ka sjellë mbylljen e disa të tjerave.
Kryeministri Haradinaj ka parë të arsyeshme që të shtohen disa ministri, ndërsa të mbyllet ministria e dialogut. Me mbylljen e kësaj ministrie, ende nuk është bërë e qartë se çfarë do të ndodhë me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe as se kush do të jetë në krye të këtij procesi.
Burime të Gazetës Express brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se tashmë janë zhvilluar disa takime në mes të kryeministrit Haradinaj dhe zëvendës kryeministrave për të dalë me një propozim se kush do të jetë përgjegjës për dialogun.
Gazeta Express merr vesh se kryeministri Haradinaj ka propozuar që personi përgjegjës për dialogun të jetën zëvendës kryeministri, Enver Hoxhaj, i cili për rreth shtatë vite ka udhëhequr diplomacinë e Kosovës.
Megjithatë, ende nuk është bërë zyrtarisht e ditur nëse një vendim i tillë është marrë përfundimisht apo jo.