Lista Srpska ka fituar më së shumti komuna në zgjedhjet lokale. Gjithsej 9. Pas Sprskas vjen LDK-ja me 8 komuna. Partia e Ramush Haradinajt udhëheq 7 komuna, derisa PDK-ja ka pushtetin vetëm në pesë komuna të vogla. Nisma e AKR-ja udhëheqin me nga një komunë. Express sjell rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.
Lista Srpska ka fituar nëntë komuna përfshirë edhe Kllokotin në raundin e dytë. Srpska, në raundin e parë ka fituar pa balotazh Leposaviqin, Novobërdën, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, ndërkohë që në Kllokot ka fituar në balotazh.
Ndërkohë, LDK-ja ka fituar në tetë komuna. Në raundin e dytë ka fituar në Gjilan, Podujevë, Vushtrri e Istog. Në raundin e parë, LDK-ja kishte fituar në Lipjan, Fushë Kosovë, Viti e Pejë.
PDK-ja, ndërkaq, ka fituar pesë komuna. Në raundin e parë, Partia e Kadri Veselit kishte fituar vetëm një komunë, Drenasin. Kurse, në raundin e dytë, ka fituar në Dragash, Ferizaj, Kaçanik e Shtime.
Partia e Albin Kurtit nuk kishte fituar asnjë komunë në raundin e parë derisa tash ka tri komuna. Udhëheq Kamenicën, Prizrenin dhe ka gjasa ta marrë edhe Prishtinën.
Partia fituese e zgjedhjeve është AAK-ja, e cila aktualisht udhëheq në shtatë komuna. Pa balotazh pati fituar në Deçan e Junik derisa në raundin e dytë ka fituar në Obiliq, Suharekë, Klinë, Gjakovë e Rahovec.
Partia e Fatmir Limajt e ka mbajtur Malishevën. Në raundin e dytë kishte shkuar me PDK-në derisa sot u rikonfirmua Ragip Begaj kryetar edhe për një mandat.
Sidoqoftë, AKR-ja e Behgjet Pacollit arriti të mbajë një komunën nën pushtetin e saj. Edhe katër vitet e ardhshme do të jetë Agim Bahtiri, i cili fitoi përballë Valdete Idrizit të PDK-së.