Vetëvrasja e gjeneralit kroat Slobodan Pralak në sallën e gjykimit në Tribunalin e Hagës, duke gëlltitur një lëng ende të panjohur vdekjeprurës, është një akt që do të mbahet mend dhe që do të hyjë në histori. Por, ka edhe të tillë të cilët s’besojnë se krimineli i dënuar i luftës vërtet ka vrarë veten, transmeton Gazeta Express.
Pralak, njëri nga gjashtë kroatët e dënuar, të cilit Tribunali ia vërtetoi dënimin me 20 vjet burg për krime lufte gjatë luftës serbo-kroate në Kroaci në fillim të viteve ’90, më 29 nëntor, pas shqiptimit të dënimit përfundimtar e piu helmin në sallën e gjykimit. Ai në çastin e shpalljes së verdiktit u ngrit në këmbë, me zë të lartë e hodhi poshtë akuzën dhe aktgjykimin dhe bërtiti: “Slobodan Pralak nuk është kriminel lufte”.
Pralak në momentin kur e piu helmin në sallën e Tribunalit të Hagës
Në këtë proces, Prokuroria i vërtetoi dënimet e shkallës së parë për eprorët kroatë, duke u shqiptuar 25 vjet të akuzuarit të parë, ish-kryeministrit të “Qeverisë së Bashkësisë Kroate të Herceg-Bosnjës”, Jadranko Përliq, nga 20 vjet ministrit të mbrojtjes Bruno Stojiq dhe dy shefave të shtabit të ushtrisë kroate Slobodan Pralak dhe Milivoj Petkoviq, 16 vjet shefit të policisë ushtarake Valentin Qoriq dhe 10 vjet shefit të njësisë për të burgosur Berislav Pushiq. Ata u shpallën fajtorë për një sërë veprash, ndër të cilat krime kundër njerëzimit, shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës, konkretisht vrasje, vrasje të qëllimshme, përdhunime, grabitje, ndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare, sjellje johumane, e kështu me radhë.
Si zakonisht në raste të këtilla, pati edhe komente të shumta nga ithtarët e teorive të komplotit, të cilët pohojnë se Pralak është ende shëndoshë e gjallë. Paralelet bëhen me vetëvrasjen e Hitlerit, për të cilin me dekada flitet se ka qenë e inskenuar dhe se ai në fakt ka ikur në Amerikën Latine.
Sipas këtyre teorive, Pralak do ta ndërrojë dukjen fizike dhe do të shkojë të jetojë në qetësi në ndonjë shtet tjetër, ndërsa të gjitha këto bëhen në marrëveshje me Tribunalin e Hagës, natyrisht, shrkuan Telegraf.rs.
Ja disa nga teoritë e komplotit që mund të gjenden në internet:
– Pralak ka simuluar, gjoja se është helmuar, është dërguar në spital ku gjoja ka vdekur, kurse në fakt i është mundësuar ikja nga Haga, në ndonjë vend ku do të jetojë me emër tjetër;
– Atje gjithçka xhirohet. Ku janë regjistrimet për atë se ç’ka ndodhur më pas?;
– Tani është diku në Republikën e Afrikës së Jugut dhe quhet Mister XXX;
– Ka bërë marrëveshje me Hagën që një të tretën e dënimit ta vuajë në Amerikë ose Paraguai;
– Krejt kjo është një farsë – njeriu është shëndoshë e gjallë. Ka pirë çaj anglez dhe tani i shtrirë në spital pret që ta largojnë dhe t’i japin identitet të ri, që të jetojë i lirë si shumë ustashë të tjerë në Amerikën e Jugut;
– Nëse tashmë ka vuajtur 13,5 vjet burg, me sjellje të mirë diçka edhe do t’i falet, kështu që – pse do të vritej. Nëse ka ndjenjë të fajit, atëherë pse i duhej ta presë aktgjykimin…?;
– Ekzistojnë substanca që shkaktojnë vdekje të përkohshme klinike, gjykimi ka vazhduar, kurse vazhdimi i skenarit të mundshëm është zhvilluar me dyer të mbyllura…