fbpx

Gjykata Speciale intensifikon punën, pesë ftesa për katër ditë

Gjykata Speciale gati çdo ditë po vazhdon t’u dërgojë ftesa për intervistim ish- ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjatë ditës së sotme Specialja ka ftuar ish- ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafën, i cili në kohë të luftës kishte qenë epror i Zonës Operative të Llapit, përcjell FaktePlus.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se nga Specialja është ftuar edhe ministri i drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri nga radhët e PDK-së.

Tahiri, ka thënë se është ftuar nga Specialja në cilësinë e dëshmitarit.

Ai ka thënë se ftesa nuk ka qenë befasi për të, pasi e ka pritur një gjë të tillë për shkak të disa paqartësive që i kanë përcjellë gjatë komunikimit.

E, vetëm gjatë së martës, Gjykata Speciale i dërgoi edhe tri ftesa të reja për ish-ushtarët e UÇK-së.

Bëhet fjalë për Fadil Bekën, i cili gjatë kohës së luftës ka shërbyer si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Drenicës, si dhe për dy ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopin dhe Sejdi Veselin.

Mirëpo, përpos këtyre Gjykata Speciale ka dërguar edhe mbi dhjetë ftesa të reja, por të cilat nuk janë bërë ende publike.

Ndërsa, që nga e premtja janë dërguar mbi 20 ftesa të reja.

Këtë e ka konfirmuar ditë më parë edhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati muajin tetor dhe gjysmën e nëntorit i ka quajtur muaj të nxehtë, pasi që ka thënë se për këtë kohë do të vijnë edhe shumë ftesa të tjera nga Specialja.

“Mbi dhjetë ftesa të reja janë shpërndarë e që ne nuk i kemi bërë publik emrat, por ish- ushtarët i kanë pranuar. Po, pritet që ende të ketë ftesa të reja dhe pritet që me siguri deri në fund të vitit të shpërndahen edhe shumë ftesa, por muaji më i nxehtë i ftesave është muaji tetor deri në gjysmë të nëntorit”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se mbi dhjetë ftesa të tjera kanë arritur në Kosovë dhe se për OVL-në e UÇK-së emrat janë të njohur, duke shtuar se nuk e di edhe sa do të jetë numri i ftesave të reja.

“Ne i kemi informatat që janë shpërndarë ftesat, por për shkak të privatësisë së shokëve emrat nuk po i bëj publik, për ne emrat janë të njohur, ftesat kanë mbërri në Kosovë dhe janë duke u shpërndarë, ndërsa edhe sa ftesa do të shpërndahen nuk e di”, ka deklaruar Gucati.

Në muajin shtator, Gjykata Speciale ka marrë në pyetje disa figura të tjera të vendit, si Safete Hadërgjonajn nga Partia Demokratike e Kosovës, Time Kadrijajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shërbyer si mjeke e UÇK-së, Sokol Bashotën e PDK-së, që ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Naim Malokun, i cili ka qenë epror i lartë në UÇK.

Më herët, Gjykata Speciale ka ftuar edhe kryeministrin në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i UÇK-së në Dukagjin.

Neogazeta
Shperndarje
Lajmi paraprak

Vetëvendosje ankohet në PZAP për mos-numërim të 7 mijë dërgesave me fletëvotime nga mërgata

Lajmi tjetër

Letra e Trump drejtuar Erdoganit: “Mos bëj të fortin, mos u bëj budalla!”

MË TË FUNDIT nga KATEGORIA