fbpx

Gjykata Speciale u përgjigjet PDK-së e Presidencës: Punën e kryejmë pa ndërhyrje politike

Vizita e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, në Dhomat e Specializuara të Hagës, është kritikuar ashpër nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga këshilltarë të presidentit, Hashim Thaçi.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar europarlamentaren gjermane për ‘ndërhyrje politike’ pasi kjo e fundit ka qëndruar për një vizitë në Hagë.

Një qëndrim të tillë të Hoxhajt e ka rishpërndarë në ‘Twitter’ edhe këshilltari i presidentit Thaçi, Artan Behrami derisa akuza në drejtim të Cramon kanë shkuar edhe nga zyrtarë të tjerë të PDK-së.
Lidhur me këto akuza nga PDK e presidenca drejt gjermanes von Cramon, ekskluzivisht për Gazetën Express kanë folur nga Gjykata Speciale.
Nga Haga thonë se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë duke e implementuar mandatin e tyre pa kurrfarë ndërhyrje politike dhe se janë të fokusuara në kryerjen e punëve në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të fokusuara në zhvillimin e procedurave të drejta, të paanshme dhe të pavarura. Si të tilla, po e zbatojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje politike”, kanë thënë për Express nga zyra për media e Gjykatës Speciale.

Për akuzat ndaj von Cramon dje për Express kanë folur edhe nga Parlamenti Evropian.
Nga Brukseli thonë se raportuesve u lejohet të vizitojnë institucione të cilat janë të rëndësishme për vendet në të cilat raportuesit kanë kompetenca.

“Parlamenti Evropian nuk komenton aktivitetet e raportuesve. Ata mund të mbajnë konsultime me homologë nga institucionet e shoqëria civile dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të cilët janë të rëndësishëm në vendin për të cilin kanë kompetenca. Ata mund të udhëtojnë në vendet që monitorojnë edhe brenda kornizës së një zyrtari të delegacionit të Parlamentit Evropian apo edhe vizitë individuale që ka për qëllim gjetjen e fakteve”, kanë thënë nga PE-ja.
Lidhur me akuzat për ‘ndërhyrje politike’ në punën e Speciales s’ka qëndruar e heshtur as vetë von Cramon, e cila ka replikuar me Enver Hoxhajn.

Cramon është shprehur e habitur se si Hoxhajt i ka shkuar mendja për një “ndërhyrje politike”, derisa ka thënë se një praktikë e tillë mbase mund të jetë e zakonshme në Kosovë por jo në vendet ku ka demokraci të zhvilluar.
I habitur me akuzën e Hoxhajt drejt gjermanes është shfaqur edhe ish-ambasadori gjerman që kishte shërbyer në Prishtinë, Ernest Reichel.

“Të lutem Enver!”, ka shkruar ai.
Gjithë këto përplasje kanë filluar pasi von Cramon ka vizituar Gjykatën Speciale pak ditë pasi aty ka përfunduar intervistimin 4-ditor presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Neogazeta
Shperndarje
Lajmi paraprak

PDK i bashkohet Qeverisë Hoti: Pritet të zgjërohet koalicioni

Lajmi tjetër

Mjeku shqiptar në Gjermani: Menaxhimi i pandemisë në Kosovë është jashtë kontrollit

MË TË FUNDIT nga KATEGORIA