Graçanica ka vendosur t’ia falë Fushë Kosovës, pa asnjë kompensim, rreth 60 hektarë tokë, konkretisht fshatin Uglar dhe Zonën Kadastrale Preoc, ku ndodhet lagjja Marigona.
Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar marrjen e kësaj hapësire nga Graçanica, por vulën kryesore pritet ta japë Kuvendi i Kosovës, raporton KTV.
Kundër vendimit kanë dalë një pjesë e opozitës, përfshirë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk besojnë në zemërgjerësinë e Graçanicës.
Sipas tyre, Graçanica po bën pastrim etnik, duke i hequr nga zona e vet dy fshatrat shqiptarë.
Por nuk mendon kështu kreu i Fushë Kosovës, Burim Berisha.
Ai thotë se nga ky vendim përfitojnë banorët e këtyre fshatrave, të cilët edhe ashtu kanë qenë të diskriminuar, pasi asnjëherë Graçanica nuk ka investuar në to.
Kryetarja e degës së Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Albana Gashi, ka thënë se ky vendim i dy kuvendeve komunale, Graçanicës dhe Fushë Kosovës, është antikushtetues.
Ka reaguar edhe Partia e Pavarur Liberale Serbe, e cila ka theksuar se asamblistët e saj në Graçanicë kanë kundërshtuar faljen e qindra hektarëve tokë Komunës së Fushë Kosovës.
SLS-ja ka thënë se kërkon që ky vendim i mjegullt dhe apatik të zhvleftësohet dhe insiston në formulimin transparent të kërkesës, pasi nuk e di nëse kërkesa është bërë nga Fushë Kosova apo nga Graçanica.