Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës, pas deklarimeve të zyrtarëve serbë. Haradinaj në një intervistë për “Zërin e Amerikës ” një gjë të tillë e ka quajtur strategji të Beogradit për të nxjerrë ndonjë gjë tjetër.
“Është një blof i Beogradit, e lëshojnë këtë për të nxjerrë diçka tjetër. Nuk besoj që kjo është serioze dhe nuk i merr kush seriozisht. Në Ballkan kufijtë janë vendosur si rezultat i luftërave dhe prekja në kufij mund të sjellë luftëra e tragjedi të reja. Është një presion i parë për të nxjerrë diçka tjetër, çka e vetmja gjë është falja por jo harrimi”, ka thënë Haradinaj.
“Kosova është e gatshme që të kalojë në etapë tjetër duke u njohur reciprokisht”, shtoi ai.
Ai ka thënë se iniciativa e deputetëve të Kosovës për Gjykatën Speciale nuk mund të sjellë ndryshime, kurse për Demarkacionin me Malin e Zi është shprehur me shpresë se mund të korrigjohen, siç i ka quajtur ai, gabimet që janë bërë në nisje të procesit.
I pyetur se partitë opozitare thonë se qeveria Haradinaj nuk do të mund të zgjasë mandatin më shumë se gjashtë muaj, Haradinaj ka thënë se e rëndësishme është që ata do të jenë në shërbim të qytetarëve, por se nuk është e rëndësishme sa do të zgjasë.
“Shikoni, është me rëndësi që një orë, një ditë, një muaj, gjashtë muaj sado që punojmë ne të jemi në shërbim të vendit, ajo është kryesorja e jo sa do të zgjasë një qeveri por a do të jetë në shërbim të qytetarëve apo të vendit. Unë besoj që do të kemi një mandat të plotë dhe do të punojmë që gjatë këtij mandati të plotë vërtetë të ndodh në Kosovë ajo që pritet prej nesh edhe prej meje në këtë rast se e di që pritjet janë të mëdha dhe jam i vetëdijshëm, mirëpo do të jem edhe serioz në punë”, ka thënë Haradinaj.