Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në një intervistë për Telegrafin me gazetaren Jehona Hulaj ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj, ku ka shprehur besimin se ky proces do të mbyllet në fund të këtij viti.
Hoxha ka shtuar se para se vendimmarrja të kaloi në dorën e ministrave të vendeve anëtare të BE-së, janë edhe disa hapa paraprakë të cilët duhet të përfundohen.
“Javë më parë kishim edhe vizitën e COWEB-it, që është grup punues në kuadër të Këshillit Evropian, dhe një grupi punues tjetër për vizat. Këto dy grupe janë duke e konsoliduar opinion në kuadër të vendeve anëtare në lidhje me liberalizimin. Në momentin që këto dy grupe arrijnë konsensusin që të vazhdojnë me hapin tjetër, atëherë çështja kalon tek niveli i ambasadorëve permemanent të akredituar në Bruksel, dhe aty duhet të votohet është votimi i njëjtë sikurse në Këshillin e ministrave na nevojiten 55% të shteteve që përbëjnë 65% të popullsisë, pas kësaj atëherë kalohet tek këshilli i ministrave”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha më tej ka shtuar se takimet e Këshillit të ministrave mbahen çdo dy muaj dhe se për këtë kohë takimet e mbetura janë njëri tani në tetor dhe tjetri në fillim të dhjetorit.