fbpx

Hoxha që lutet për mbrojtjen e kufijve

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Çështja e ruajtjes së kufijve aktualë, tashmë nuk po kundërshtohet vetëm nga subjekte dhe liderë të caktuar politikë. Lutje për ruajtjen e territorit dhe kufijve aktualë po bëhet edhe në xhami. Në faljen e namazit të xhumasë, imami i xhamisë së Obiliqit, Behar Mjekiqi, lutet për ruajtjen e kufijve aktualë që i ka shteti i Kosovës.

Gjatë ligjëratave të tij fetare, imami dhe njëherësh kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Obiliq, Behar Mjekiqi, bën edhe lutje për ruajtjen e kufijve të Kosovës. “O i madhi Allah, na e ruaj shtetin tonë, kufijtë tanë, na e ruaj vendin tonë, gjuhën dhe popullin tonë. Ruaj mësuesit tanë dhe bashkoi politikanët tanë, o i madhi Allah!”, tha ai.

Këto lutje, Mjekiqi thotë se nuk i ndërlidh me idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve. Ai thotë për Radio Kosovën se çdo lutje e bën për vendin, ngase dëshiron që shteti ynë të jetë ai që e kanë ëndërruar edhe dëshmorët që kanë rënë për liri.

“Unë nuk di për ato deklarata, por e di që kufijtë tanë janë tanët, vend ynë është i yni dhe ne jemi bij të këtij vendi. Unë e kam pasaportën e Kosovës dhe nuk e ndërroj me asnjë pasaportë në botë, sepse është identiteti im, krenaria ime dhe është shqiptaria ime. Kosova është vendi i ynë për të cilin është derdh gjak”, theksoi Mjekiqi.

Ndër të tjera, hoxha Behar Mjekiqi thotë se hoxhallarët, priftërinjtë, mjekët, e në veçanti politikanët, duhet të ketë shumë kujdes në ruajtjen e shtetit, ngase Kosova është shumë e shenjtë. E për këtë, ai thotë se ka edhe një lutje për veten e tij.

“Nëse vendit tim i bëj keq, Zoti gjymtyrët e trupit mi paralizoftë. Dhe nëse mendoj keq për këtë vend, Zoti le t`ma marr më mirë shpirtin sesa unë të jem personi që i bëj keq këtij vendi. Këtë vend me mund e kemi bërë, me gjak e kemi larë dhe këtë vend me mend duhet ta ruajmë”, shtoi ai.

Hoxha Behar Mjekiqi, shprehet se do të vazhdojë të lutet për Kosovën dhe territorin e saj edhe në ligjërata të tjera fetare. Sipas tij, vendimi i Kuvendit për ushtrinë, e forcon edhe më shumë shtetin tonë. Ndërkohë, thekson se duhet të bëhet më shumë për rininë, ngase ajo është e ardhmja e vendit.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Lutfi Haziri perjashton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen, thotë se i ndan Rugova

Tjetra

Ramush Haradinaj optimist: Liberalizimi mund të bëhet këtë vit

TË FUNDIT NGA RUBRIKA