Instruksionet e Qeverisë për ambasadorët rreth demarkacionit përplasin Haradinajn dhe Thaçin

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Ramush Haradinaj e ka shënuar përplasjen e parë me Presidentin Hashim Thaçi. Shkak është bërë kërkesa e Kryeministrit drejtuar stafit diplomatik lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë për demarkacionin me Malin e Zi. Në Presidencë kanë thënë se veprime të tilla duhet të koordinohen me Thaçin derisa kanë vlerësuar gjasat janë që një veprim i tillë është bërë nga mungesa e përvojës.

“S’kam koment”. Kjo është përgjigjja e Halil Matoshit, këshilltar i Kryeministrit, lidhur me përplasjen e parë të Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë Ambasadorët e Republikës për demarkacionin me Malin e Zi.

Kryeministri Haradinaj u ka dërguar kërkesë ambasadorëve të Kosovës që të paraqesin demarkacionin si çështje ende të pambyllur me Malin e Zi. E jo si çështje të pambyllur ndërshtetërore.

Bekim Çollaku i ka thënë Kohës Ditore se nëse veprimi i Zyrës së Kyreministrit është bërë nga mungesa e përvojës atëherë e konsiderojnë si rast të izoluar dhe jo qëllimkeq.

“Kjo mbetet të sqarohet në ditët në vijim”, ka thënë Çollaku.

Shefi i Stafit të Presidentit ka thënë se çdo qëndrim apo rekomandim i tillë që ndërlidhet me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, duhet patjetër të bëhet në konsultim dhe koordinim me presidentin.

Në Qeveri nuk kanë dashur të flasin për këtë qëndrim të Thaçit. I vetmi që është përgjigjur shkurt është Halil Matoshi, i cili ka thënë se s’ka koment për këtë çështje.

Ndërkohë, Kryeministri Haradinaj ka qëndrim krejt të kundërt me Presidentin. I pari mendon se shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë gabimisht. Ka kundërshtuar edhe me protesta marrëveshjen e arritur me malazezët për demarkacionin. Derisa Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se çështja e demarkacionit është problem i brendshëm i Kosovës derisa marrëveshja me Malin e Zi është çështje e mbyllur.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com