INTERPOL’i hoqi Haradinajn nga lista pas kërkesës së UNMIK’ut

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Ramush Haradinaj nuk do të arrestohet më në asnjë prej vendeve që kanë bashkëpunim me INTERPOL’in pasi ky institucion hoqi emrin e Kryeministrit të Kosovës nga lista e të kërkuarave. Largimi i tij ka ndodhur pas një kërkesë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Një kërkesë e UNMIK’ut drejtuar INTERPOL’it ka mjaftuare për t’u larguar emri i Ramush Haradinajt nga lista e të kërkuarve nga lista e organizatës më të madhe e policisë ndërkombëtare.

Sipas diepresse, kërkesa e UNMIK’ut ishte miratuar më 1 dhjetor për heqjen e Haradinajt nga lista e INTERPOL’it.

Nga lista e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) janë hequr edhe 17 emra të tjerë të qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj ishte arrestuar së fundmi në Zvicër, bazuar në fletarrestin e lëshuar nga Serbia, me akuza se ish-Komandanti i UÇK’së ka kryer krime lufte. Ishte mbajtur disa muaj në paraburgim derisa shteti zviceran kishte refuzuar ekstradimin në Serbi të Haradinajt.

Zyrtarët e Serbisë kanë thënë se pavarësisht nëse emri i Haradinajt është hequr nga lista, ata prapë do ta ndjekin Kryeministrin e Kosovës për ta arrestuar e gjykuar për krime lufte.

Haradinaj sivjet mori pozitën e Kryeministrit për herën e dytë pasi më 2005 kishte dhënë dorëheqje për t’u ballafaquar me akuzat e Hagës për krime lufte, ku pastaj ishte shpallur i pafajshëm nga dy procese të gjata gjyqësore, shkruan Gazeta Express.

UNMIK’u vazhdon të ketë mandatin lehtësues ndërmjet Kosovës dhe Shteteve që nuk e njohin shtetin kosovar sidomos në fushat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Madje, Kosova ende vazhdon të komunikojë me INTERPOL’in përmes UNMIK”ut meqë organizata që merret me luftimin e kriminalitetit ende nuk e ka pranuar Kosovën anëtare të saj.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com