fbpx

Isa Mustafa: LDK do të kontribuojë në dialog por nuk do të përfshihet në ekipin negociator

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se partia e tij do të kontribuojë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa u përfshirë në ekipin negociator.

Mustafa tha se LDK nuk do të bëhet pjesë e grupeve “informale” të cilat janë themeluar se fundmi nga ana e Kuvendit, por do të kontribojë me diskutime, si dhe do të vlerësojë në fund, nëse do të pranojë ose jo, ta votojë marrëveshjen e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje do të arrijë në Kuvend, dhe çdo marrëveshje nuk kalon me 59 vota, por kërkohen 80 vota, pra shumicë meritore për të miratuar një marrëveshje ndërkombëtare. LDK-ja do ta jap kontributin duke dhënë mendimin e vet nëse do ta ratifikojë ose jo këtë marrëveshje. Nëse do të kemi transparencë në dialog, ne do të kyçemi, por nuk do të bëhemi pjesë në grupe të cilat për ne janë informale”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së, siç raporton Kallxo.com, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie e vlerësoi lartë letrën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, drejtuar presidentit Hashim Thaçi.

Mustafa tha se Lidhja Demokratike e vlerëson miqësinë dhe interesimin e Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, që procesi i dialogut të shkojë përpara dhe të jetë në interes të vendeve që janë pjesë e tij.

Mustafa ka deklaruar se ata kërkojnë t’i kenë dy anëtarë në KQZ, ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutë dhe jo vetëm një siç ka kërkuar presidenti Thaçi.

Sipas Mustafës, në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet që grupe parlamentare llogariten ato që hyjnë në zgjedhje dhe marrin vota dhe jo ato që formohen pas konstituimit të Kuvendit.

“Si të tilla ne kemi pasur tri grupe parlamentare dhe ne konsiderojmë se vetëm ato grupe parlamentare kanë të drejtë të kenë përfaqësuesit e tyre në KQZ. Dhe sipas kësaj LDK-së i takojnë dy vende dhe jo një vend ashtu siç është interpretimi dhe kërkesa e presidentit, sepse ato mund të jenë pazare të presidentit me grupet parlamentare që janë formuar më vonë në Kuvend”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka deklaruar se do t’i drejtohen presidentit Thaçi me kërkesën që LDK t’i ketë dy anëtarë në KQZ dhe nëse nuk plotësohet kjo kërkesë atëherë ata do t’i ndjekin rrugët ligjore.

“Në këtë aspekt do t’i drejtohemi presidentit me kërkesë, që LDK t’i ketë dy vende në KQZ. Nëse ai vazhdon me të veten ne do të vazhdojmë rrugën tonë ligjore, sepse konsiderojmë që presidenti ka bërë dy shkelje të mëdha, një që po i ndryshon kriteret që janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe e dyta që i ka shkelur të gjitha afatet për konstituimin e KQZ-së”, ka potencuar Mustafa.

Po bëhen pothuajse tetë muaj prej kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional.

27 marsi ka qenë dita kur anëtarëve të këtij mekanizmi i ka përfunduar mandati, ndërsa emërimi i anëtarëve të rinj ende nuk është bërë nga ana e presidentit të Republikës.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Hashim Thaçi: Shpresoj dhe besoj se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet në të ardhmen e afërt

Tjetra

A do t'i unifikojë letra e Presidentit Donald Trump pozitën e opozitën në Kosovë?

TË FUNDIT NGA RUBRIKA