fbpx

Ka sinjale se ka marrëveshje, Kurti e Mustafa kanë mbetur t’i njoftojnë partitë e tyre

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket të jenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për formimin e një koalicioni për bashkëqeverisjen e vendit.

Përparimi në bisedimet disamuajshe mes partisë që i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe asaj që doli e dyta ka ndodhur në takimin e pasdites së të mërkurës, ndërmjet kreut të VV’së, Albin Kurti, dhe udhëheqësit të LDK’së, Isa Mustafa.

Dy partitë janë deklaruar pas takimit të sotëm, që zgjati rreth tri orë, duke bërë të ditur publikisht se ka pasur “përafrim” mes tyre.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim”, ka thënë Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate.

Para VV’së, është deklaruar edhe LDK’ja. “Kemi lëvizje në përpjekje për marrëveshje. Do të kemi edhe një takim të radhës nesër”, ka thënë zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa.

Neogazeta ka mësuar nga burimet e saj brenda dy partive se një marrëveshje mes tyre është “shumë afër”.

Kjo marrëveshje, siç thonë burimet tona nga VV’ja dhe LDK’ja, mund të nënshkruhet nesër.

Bisedimet mes dy partive kishin ngecur prej javësh, teksa LDK’ja këmbëngulte që ta merrte postin e presidentit, me ç’gjë nuk pajtohej VV’ja.

Mbetet të shihet se si janë zgjedhur mosmarrëveshjet mes dy partive.

Neogazeta
Shperndarje
Lajmi paraprak

Isa Mustafa u drejtohet gazetarëve: më vjen keq që jeni mërdhi

Lajmi tjetër

Ekskluzive: Është arritur marrëveshja VV - LDK

MË TË FUNDIT nga KATEGORIA