Kadri Veseli ka treguar për herë të parë një ngjarje interesante nga lufta, kur ka qenë në Tiranë së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari.
Kreu i PDK-së, në emisionin e transmetuar në RTV Dukagjini, ka treguar se nga viti 1992 ai dhe Adem Jashari kanë qenë bashkë në Tiranë dhe ka treguar një bashkëbisedim të tyre në banesën e tij.
Veseli është shprehur se Adem Jashari ka qenë i shqetësuar në kohën kur kanë qenë në Tiranë, pasi që ai i kishte lënë fëmijët dhe familjen në Prekaz dhe nuk e ka ditur se a do ta sulmojë Serbia shtëpinë, apo çfarë do të ndodhë me fatin e tij.
“Ishalla na lajnë ka një mashkull gjallë, sa mos me na humbë fara se për neve nuk ka problem edhe me shku”, ka cituar Veseli, fjalët e Adem Jasharit.
Tutje ai ka thënë se Komandanti legjendar i UÇK-së ka qenë burrë dhe nuk ka qenë frikacak, ashtu siç ka qenë burrë ju ka shkuar edhe gjërave deri në fund.
Ai gjithashtu në këtë emision tregoi edhe si kishte qëndruar në shtëpinë e Lahi Ibrahimajt dhe si i mbeti nofka Luli.
Gjatë kohës sa ishte i angazhuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, ka thënë se kishte lëvizur shumë nëpër tërë Kosovën për të mos rënë në duart e Serbisë.
Ai ka rrëfyer se gjatë vitit 1996 ka qëndruar shumë në Jabllanicë, konkretisht në shtëpinë e Lahi Ibrahimajt, nëna e të cilit, pra gjyshja e Ramush Haradinajt ishte kujdesur shumë për të.
“Kam qenë duke qëndruar në vitin 1996 në Jabllanicë, në shtëpinë e Lahi Ibrahimajt. Aty për neve është kujdesur shumë, si me na pas fëmijë të vet, Nëna Azë, nëna e Lahit, gjyshja e Ramushit. Lahi me ka lënë nofkën Luli, që sot edhe gruaja ime me thërret”, ka thënë Kadri Veseli.