fbpx

Kujt i pengon flamuri i Kosovës

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Në një nga shkrimet, opinionet e muajit prill, tekstualisht kemi vlerësuar se, BE-ja, as në rastin e Kosovës, nuk mund t’i zëvendësojë, përkatësisht, nuk mund ta kenë fuqinë, edhe diplomatike të SHBA-ve. Ishim të bindur se po e themi një të vërtetë, ashtu, siç, jemi edhe më shumë të bindur në ditët e para të majit, me shi dhe të ftohtë. E kemi thënë se, diplomacia e BE-së, nuk është, sa duhet e drejtë në raport me Kosovën, veçmas, sa herë që, duke e pasur “frikën”, presionin nga Rusia, vazhdon ta ledhatojë Serbinë dhe, të jetë e gatshme që, përmes politikave publike të deklarohet, siç thotë vetë Serbia, gjoja se, nga dialogu dhe ri negociatat Kosovë – Serbi, të dyja shtetet duhet të dalin fituese! Të mendosh, të analizosh, të vlerësosh, të gjykosh, sipas kutit serb, sipas mendjes së Vuçiçit, do të thotë, të vazhdosh të jesh shumë i/ e padrejtë ndaj Kosovës, ndaj popullit të saj, i cili, me një luftë çlirimtare e çliroi veten nga sundimi i gjatë, i errët, me vdekje, nga Serbia! Në vend se, diplomacia e BE-së, dhe veçmas, diplomatët e shteteve, të cilat ende nuk e njohin shtetin e Kosovës, në fakt, të drejtën tonë historike, etnike dhe të gjakut për ta fituar lirinë dhe shtetin tonë, të reflektojnë me drejtësi ndërkombëtare, ata, të tillët, vazhdojnë t’ia mbajnë anën Serbisë.

A nuk mjafton fakti që, edhe në Samitin e Zagrebit, më 6 maj 2020, me kërkesë të padiskutuar, në radhë të parë të Spanjës,Kosova nuk pati të drejtë ta vendoste flamurin shtetëror? Kjo, që, shtetet pjesëmarrëse në Samitin e Zagrebit, u paraqitën pa kurrfarë simbole shtetërore, siç informon vetë Zyra evropiane e përfshirë në organizimin e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, u bë, për të respektuar qëndrimin neutral të BE-së për statusin e Kosovës! Çfarë qëndrimi dhe vlerësimi i pa denjë ky, për “ qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”? Çfarë nënkupton, jo vetëm me kodet morale, por edhe të “drejtës” ndërkombëtare formulimi “ qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”, ndaj shtetit, të njohur ndërkombëtarisht, shtetit, i cili po përparon, mu në zemër të Evropës!? E dinë, apo jo, ata formulues të kësaj shprehjeje, se, populli i Kosovës me gjakun e derdhur e ka fituar lirinë dhe me vullnetin e sovranit e ka shpallur shtetin e Kosovës? Shteti i Kosovës, nuk është “ dhuratë” e as lëmoshë e asnjë diplomacie, pra, as asaj evropiane! Prandaj,” qëndrimi neutral” ndaj shtetit të Kosovës, është qëndrim kundër lirisë, si e drejtë universale e qytetërimeve të djeshme dhe të sotme! Për më tepër, “ qëndrimi neutral” ndaj statusit të Kosovës, është qëndrim nënshtrues ndaj Serbisë dhe aleatëve të saj!

Për më tepër, një vendim i tillë, i mos lejimit të përdorimit të simbolit tonë shtetëror, Flamurit, vjen, siç pranohet publikisht, pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së Spanjës në Samitin e 6 majit 2020 në Zagreb, shtet ky i cili në vazhdimësi kundërshton pjesëmarrjen e barabartë, të merituar të Republikës së Kosovës në takime të nivelit të lartë ndërkombëtar. Spanja, pra, e z. Josep Borell, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së! Pra, nga një anë, e kemi z. Lajçak, i deleguari i BE-së për lehtësimin e vazhdimit të dialogut, negociatave, Kosovë – Serbi, shteti i të cilit nuk na njeh, shteti, i të cilit, votoi kundër pranimit të Kosovës në UNESKO, dhe në anën tjetër, e kemi z. Borell, shteti i të cilit, jo vetëm që nuk na njeh, por, e kundërshton edhe përdorimin e simbolit tonë shtetëror, Flamurit, për të cilin shqiptarët, kanë rënë në fushën e luftës qe 100 vjet, deri në luftën ton[ë biblike të prirë nga UÇK-ja! Pikërisht, pra, duke i ditur pozicionet e diplomatëve, Borrel dhe Lajçak, faktori politik shqiptar, shtetëror i Kosovës duhet të jetë edhe më i unifikuar, të flet me një zë politik, kombëtar, në përballjet që na presin me Serbinë!

Nënshtrimi para Serbisë!

Po t’ia përmendnim, spanjollit Borell, se, dikur, në emër të idealit të lirisë, si vlerë universale, shqiptarët kanë luftuar dhe kanë rënë në fushëbetejat, e njohur dhe e shënuar në histori, si e Lufta e Spanjës, ai, apo edhe ndonjë bashkëmendimtar i tij, do mund të na thoshin se jemi romantik dhe folklorist klasik, të tejkaluar e të braktisur!? Jo, liria e popujve, edhe sot e ka kuptimin e saj universal, që e meriton, nga vetë historia e luftërave të drejta të popujve, siç, luftoi edhe populli ynë shqiptar! Por, të luftosh me të drejtë për lirinë tënde, pra, edhe për lirinë e Spanjës, për Flamurin e saj, e nga ana tjetër, të mos e njeh shtetin e Kosovës, të kërkosh që, burrështetasit e Kosovës të mos kenë të drejtë, në tavolinën e takimeve ndërkombëtare ta vendosin Flamurin e shtetit të vetë, është përtej logjikës serbe! Është, hapur, nënshtrim para politikave hegjemoniste, serbomëdha, kërcënuese të Serbisë!

Dhe, sikur e tërë kjo lojë e diplomacisë së nëndheshme nuk mjafton, z. Borell, në një intervistë për disa medie të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka kundërshtuar idenë serbe për mundësinë e korrigjimit të kufijve mes shtetit të Kosovë dhe Serbisë fqinje. Ai e thotë vetë:” …Nëse ata merren vesh për diçka ne duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje…Ne, nuk na takon tu themi, serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen apo jo ata…Nëse palët merren vesh, BE-ja nuk mund të ketë më katolikë se Papa”!? Për, të mos u mjaftuar me gjithë këtë “çmenduri” diplomatike, Borrel është përkujdesur që të na paralajmëroi se, sipas tij: “…Çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në kompetencë të BE-së” Cilat janë, pra, kompetencat e BE-së, e cila kërkon që, t’i drejtojë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë! Sipas z. Borell, BE-ja nuk ka detyrim ta bind Serbinë që, ta njohë shtetin e Kosovës, por, na paska të “drejtë” që, të mos e kundërshtojë kërkesën e Serbisë për korrigjim të kufirit? A mendon z. Borell se toka e Kosovës është monedhë për kusuritje? Nëse ai, dhe z. Lajçak, mendojnë se, në përfundim të, cilës do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, çështja e njohjes reciproke, nuk qenka detyrim edhe i Serbisë, atëherë çfarë kuptimi ka që, Kosova të jetë në ato bisedime? Përse, pra, BE-ja kërkon që ta merr rolin e udhëheqësit të negociatave? /Neogazeta

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Kadri Veseli: Vetëvendosje më ka dërgu njerëz për të qeveri të përbashkët

Tjetra

Mustafa: Vendimi i Kushtetueses fitore e demokracisë, thirrja e seancës nuk është në vullnetin e Vjosa Osmanit

TË FUNDIT NGA RUBRIKA