fbpx

Kush ishte Drakula?

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Drakula ka jetuar vërtet, por nuk ka pasur frikë nga hudhrat apo drita e ditës. Grofi Vladi i III-të i shkonte armiqtë në hell. Vëllimet mbi grofin e tmerrshëm prezantohen në Panairin e Frankfurtit.

Ai ishte grafi i territ. Vlad Tepes Draculea (1431-1476), i njohur edhe si hellshkuesi, është një nga figurat më të njohura të mesjetës së vonë në Evropën Juglindore. Kjo shërbeu si bazë për grofin “Drakula” të autorit irlandez, Bram Stokers, që arriti famë botërore. Por grofi që ka jetuar vërtet, Vlad Tepes Draculea, ka të përbashkët me vampirin gjakpirës vetëm dëshirën për të vrarë. Ka qenë një rastësi që autori irlandez krijoi një lidhje me mitin qindravjeçar të vampirëve.

Historianët për Evropën Lindore nga Universiteti i Giesenit, Thomas Bohn dhe Albert Weber, thonë se “duan të vënë në dritën e së vërtetës.” Ata drejtuan një projekt studimor që bashkoi burimet historike për princin e tmerrshëm në krahinën e Vllahisë në Rumaninë e sotme. Vite me radhë ekipi studimor shqyrtoi arkiva në Spanjë, Stamboll dhe Vatikan. “Shumica e bibliotekave dhe arkivave në Evropën Lindore është djegur me kohë, vetëm 2-3 për qind të burimeve mund të përdoren”, thonë studiuesit.

“Corpus Draculianum”, vepra në katër vëllime për grofin Vlad u prezantua në Panairin e Frankfurtit. Por, çfarë është realitet historik dhe çfarë është legjendë? Historianët duhet të zgjidhnin një detyrë të vështirë. Sepse me avancimin e perandorisë osmane në drejtim të Evropës në shekullin e XV-të, u lëkundën nga themelet rendi i vjetër dhe marrëdhëniet e vasalëve. Për të ruajtur sundimin e tij Vlad duhej të ndërronte disa herë krahët përmes akteve diplomatike të rafinuara. Fillimisht një përkrahës i sulltanit turk, më vonë ai ndoqi thirrjen e papës Piu për kryqëzatë kundër osmanëve. Synimi: Të krijonte imazhin e “mbrojtësit të krishterimit”.

Për shkak të metodës së tij mizore të eliminimit të armiqve, Vlad mori emrin “hellshkuesi”. Mizoria e tij, sipas studiuesve, ishte pjesë e strategjisë së tij për të qëndruar në pushtet dhe për të treguar besnikëri ndaj partnerëve. Kështu ai vërtet i shkonte në hell të gjallë armiqtë e tij. Të dërguarve turq që nuk hiqnin çallmën ai ua gozhdonte çallmën në kokë. Por, duhet thënë se në shekullin e XV-të ishte e zakonshme që të krijohej një imazh i keq për kundërshtarin përmes historive të trilluara, thotë historiani Weber. Mbreti hungarez, Matthias Corvins, për të ngritur lart veten si mbrojtës i krishterimit, përhapi fjalë për bëmat e tmerrshme të grafit Vlad. Për osmanët ai ishte një tradhtar rebel. Burimet ortodokse e interpretojnë konvertimin e Vladit si katolik po ashtu si tradhti. Për grekët nën sundimin osman, grofi ishte luftëtar kundër pushtuesve.

Hero vlleh apo tiran sadist?

Ende bëhet politikë me princin mesjetar në Rumani. Në Rumani protestuesit mbanin pankarta me pamjen e Drakulës për të ngritur zërin kundër korrupsionit në vend. Sepse Vladi gjatë gjithë jetës ishte një kundërshtar i ashpër i çdo forme të ryshfetit e korruptimit. Nëpunësit e tij që kapeshin me vepra të tilla çoheshin të gjallë në hell. Por, edhe partia nacionaliste rumune, PRU, e mban figurën e grofit të tmerrshëm në emblemën e saj. /DW/

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Ekskluzive: Rastet e krimeve të luftës nga Gjykata Themelore përfundojnë në Hagë

Tjetra

Berisha, Veselit: Shkojmë burrë në zgjedhje – Veseli: Veç voto ti

TË FUNDIT NGA RUBRIKA