Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se kjo parti do të kërkojë rishikimin e 610 votave të pavlefshme në Prishtinë.
Selmanaj ka thënë në Interaktiv të KTV-së se LDK ka dyshime se mund të ketë gabime në këto vota dhe “dëshiron sqarimin e plotë të tyre për të pasur pasqyrë të pastër të rezultateve”.
Ai ka thënë po ashtu se LDK-ja ka kërkuar nga organet kompetente që të shohin përse ka pasur mospërshtatje në rezultatet e para të publikuara, pasi Arban Abrashit të LDK-së më vonë iu shtuan edhe 80 vota duke ngushtuar diferencën ndaj Ahmetit në vetëm 237 vota.
“Pasi kemi parë ndryshimin e numrit të votave, ju kemi bërë thirrje organeve që merren me këto raste të shohin nëse ka ndodh gabim i qëllimshëm apo pse ka ndodhë”, ka thënë ai.
Selmanaj është shprehur i bindur se LDK do të mund të përmbysë rezultatin pasi të numërohen të gjitha votat me kusht. Ai ka thënë se “këtë bindje e ka të bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të shkuara në Prishtinë”.
“Trendet kanë treguar që edhe në zgjedhjet e kaluara votat me kusht i janë atribuuar LDK-së dhe po shpresojmë që diferenca prej 200 votash mund të ndryshohet. Mund të rritet diferenca me VV-në, por besojmë që hendeku do të shuhet dhe do të jemi fitues”, ka shtuar ai.
Deputeti i LDK-së po ashtu ka përsëritur deklaratën se “LDK është partia më e madhe në vend”.
“E fituam s’e fituam Prishtinën, jemi partia e parë në vend me numrin e votave”, ka thënë ai.