fbpx

Milosheviqi, një kopje e keqe e Hitlerit ! ( 2 )

Shkruan Prof. Dr. Agim ZOGAJ

Milosheviqi, për shumëçka është përpjekur që të jetë një imitim, një kopje e re e Hitlerit, veçmas në kuptimin e doktrinës së tij politike, arrogancës së pamëshirshme dhe përdorimit të metodave makiaveliste . Të dytë, Hitleri dhe Milosheviqi vazhdimisht janë thirrur në kategorinë – popull!
Hitleri thoshte se :“ Gjashtë milionë komunistë në Evropë janë “rrezik komunist” në Evropë”, kurse Milosheviqi pohonte se :” Irredentizmi dhe separatizmi shqiptar janë rrezik për Jugosllavinë dhe Serbinë”.

Drejt shtetit totalitar në Serbi
Studiuesit ndërkombëtar ndër ta edhe historianë bashkëkohor në vitet e nëntëdhjeta, pikërisht kur politika nacionaliste serbe ishte në kulminacion, duke bërë paralele historike të atij nacionalizmi me nazizmin modern, kishin gjetur mjaft elemente të përbashkëta në fjalorin, deklarimet politike dhe veprimet luftarake të Slobodan Milosheviqit me ato të Adolf Hitlerit. Në fakt, njohësit e mirë të rrethanave historiko – politike të periudhës së paraqitjes dhe ngritjes së Hitlerit në pushtet dhe të periudhës së Milosheviqit, me të drejtë vlerësojnë se ka mjaft elemente të përbashkëta në doktrinën e veprimit të tyre politik, ushtarak, policor, shteteror dhe pushtues. Çështë e vërteta, Milosheviqi, për shumëçka është përpjekur që të jetë një imitim, një kopje moderne e Hitlerit, veçmas në kuptimin e doktrinës së tij politike, arrogancës së pamëshirshme dhe metodave e mjeteve makiaveliste të cilat i ka përdorur për të ardhur dhe për tu ngritur në pushtet, sidomos për të luftuar me çdo mjet për qëllimet e tij hegjemoniste. Të dytë, vazhdimisht janë thirrur në kategorinë e quajtur popull dhe të dytë kanë konsideruar se në emër të popullit është e lejuar çdo gjë, pra edhe vrasjet, gjenocidet masive të popujve, që nga Hitleri dhe Milosheviqi ishin cilësuar si kundërshtar, armiq. Hitleri fjala vie, në hapat e parë të eksplikimit dhe popullarizimit të programit politik, nacional – nazist, që në vitin 1931 kishte proklamuar luftën e pa kompromis kundër bolshevizmit dhe marksizmit. Në dhjetor të vitit 1931 kishte deklaruar se:” Ne jemi të bindur se fitorja e komunizmit në Gjermani do të ishte fillim i katastrofës së përgithshme në botë. Gjashtë milionë komunistë në Evropë janë “rrezik komunist” në Evropë”. Nga ana tjetër, ngjashëm si ai, Milosheviqi, siç dihet që në vitin 1986, në frymën e Memoranduamit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, miting pas mitingu, i përkrahur plotësisht dhe gjithçka edhe nga Kisha ortodokse serbe, kishte propaganduar luftën e ashpër kundër ” irredentizmit dhe separatizmit shqiptar”, që sipas tij rrezikonte shkatrrimin e Jugosllavisë titoiste. I ashtuquajturi ” nacionalizem dhe irredentizem shqiptar” nuk ishte tjetër pos politikë e rezistencës shqiptare ndaj politikës sërbomadhe, që në fakt ishte pengesë për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Hitleri kishte këmbëngulur se po ” Luftonte për rendin e ri në botë, dhe se këtë do tia imponojë mbarë botës…Paqën nuk e rrezikojnë nacional-socialistët por militarizmi francez së bashku me bolshevizimin rus”. Ngjashëm kishte deklaruar edhe Milosheviqi duke thënë se, lufton për rendin e ri në Jugosllavi, dhe se sipas tij popujt tjerë po e shkatrrojnë Jugosllavinë, kurse ai ishte vënë në “mbrojtje” e saj, kuptohet sipas masës serbe. Derisa Hitleri menjëherë pas ardhjes në pushtet fliste për një revolucion stabiliteti, për revoltë kundër kaosit, për një grushtet të “ligjshëm” për ruajtjen e interesave të Gjermanisë, Milosheviqi, poashtu me të ardhur në pushtet, kishte propaguar të ashtuquajturin “jogurtrevolucionin” përmes të cilës doktrinë i rrëzonte të gjitha ato udhëheqje të cilat i konsideronte si kundërshtare. Në fakt, në këtë periudhë Milosheviqi, ngjashëm si Hitleri, ua dha serbëve mundësinë e pjesëmarrjës në një jetë publike në formë të paradave, spektakleve, mitingjeve politike, me karakter popullist, krejt kjo në emër të “ Mbrojtjes së popullit serb”, në emër të “barazisë” së Serbisë me republikat tjera jugosllave. Ndërkohë që me të gjitha mjetet, Milosheviqi po i krijonte kornizat “ ligjore”, legale për krijimin e shtetit totalitar serb.

Kërcënimet e dy diktatorëve!
Në të gjitha paraqitjet e tij, Milosheviqi thirrej në rivendosjen gjoja të barazisë së popullit serb me popujt tjerë në Jugosllavi dhe madje edhe në ruajtjen me çdo kusht të Jugosllavisë nga ato forca të cilat sipas tij synonin shkatërrimin krijesësë Avnojiane. Milosheviqi u thoshte gjeneralëve të përktësisë serbe se edhe nëse do të nis lufta në Jugosllavi ajo do të jetë e shkurtër dhe e kufizuar, por nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i vitit 1991 ai edhe publikishte kishte paralajmëruar se do të ketë luftë dhe se ajo është e pashmangshme. Në fakt, sikur edhe në rastin e Hitlerit, derisa Milosheviqi me demagogjinë politike dhe parullat e tij mashtruse po proklamonte luftën për vendosjen e paqës dhe ruajtjen e Jugosllavisë titiste, nga ana tjetër ai prapa shpinës së popujve sllav po përgatitej intenzivisht për luftë. Dhe, poashtu sikur Hitleri në vitet e sundimit të tij, ngjashëm edhe Milosheviqi nuk po përgatitej vetëm për një luftë, në rastin konkret kundër ne shqiptarëve, por për një seri luftërash, krejt kjo për të realizuar projektin e “ Serbisë së Madhe”. Milosheviqi, një pasues besnik por jo i denj i Hitlerit, po frymezohej nga “Mein Kampf”, prandaj kishte marrë aq guxim sa që në tubimin e njohur popullist – nacionalist serb mbajtur në Gazimestan afër Prishtinës më 28 qershor 1988, të kërcnohej ultimativisht se :”Serbia ose do të jetë ose nuk do të jetë”!
Pra, Milosheviqi edhe në këtë rast e kopjonte Hitlerin i cili në veprën e tij, “Mein Kampf” kishte shkruajtur se:” Gjermania ose duhet të jetë Fuqi botërore ose të mos jetë fare”. Edhe në operacionet e para kundër Austrisë, Hitleri ishte deklaruar hapur për politikën e gjakut, duke paralajmëruar se:” Unë udhëheqi politikën e dhunës…”. Milosheviqi, ndersa i cili nuk ishte hiç më pak militant se Hitleri, u kërcnohej popujve tjerë duke paralajmëruar se: ” Nëse duhet do të ketë edhe gjak të derdhur për realizimin e synimeve tona…”.
Në metodën e tij të punës dhe të bashkëpunimit me bashkëpunëtorët, Hitleri ishte shumë i veçantë. Si pikënisje ai dyshonte në çdo gjë, pra nuk i besonte asnjë bashkëpunëtori, madje ai mosbesim shkonte deri aty sa që, edhe pse ishte në relacione bashkëpunimi me ta, nëse e vlerësonte se duhej hequr dorë nga bashkëpunimi i mëtutjeshëm ai jepte urdhëra për likuidim të tyre.

Dosjet për kundershtarët e Hitlerit dhe të Milosheviqit
Nga historia e diplomacisë janë të njohura metodat e tij, në eliminimin e bashkëpunëtorëve më të afërt, madje nga kreu i ushtarakëve të lartë, atëherë kur kishte hetuar dilema tek ata në rastin e përgatitjes për të sulmuar Austrinë ose ndonjë shtet tjetër. Disa prej ushtarakëve të lartë të rajhut gjerman ishin shkarkuar dhe politikisht izoluar vetëm pse në bisedën me Hitlerin kishin shfaqur mëdyshje nëse duhej apo jo të fillohej sulmi. Nga anan tjetër, Hitleri si formë për ti komprometuar bashkëpunëtoret, kishte metodën e hartimit të dosjeve të tyre kështu që në situatat e pa qarta, Hitleri i nxirrte dosjet për ta dhe u kërcnohej me ndëshkime të tjera. Prandja, ai kishte urdhëruar që herët se:” Për të gjithë njerëzit me ndikim duhet hartuar dosjet”. Në këtë kuptim, shumë më vonë pas luftërave në ish Jugosllavi, pra edhe në Kosovë ishte bërë e ditur se:” Policia serbe kishte përgatitur dosje speciale për të gjithë njerëzit me ndikim në ish Jugosllavi, pra jo vetëm për shqiptarët”. Kjo metodë e Milosheviqit, e përdorur nga stili i veprimit hitlerian, kishte dhënë shumë efekte në periudhën e parapërgatitjes së luftës në ish Jugosllavi. Në këtë kuptim dihet rasti i Agrokomercit në Bosnjë përmes dosjes së montuar të së cilës u eliminua politikisht e më pastaj edhe fizikisht boshnjaku Hamdija Pozderac, një kundershtar i nacionalshovinizmit serb. Por, ai likuidoi jo vetëm politikisht edhe bashkëpunëtor të tij të afërt, si Ivan Stamboliqin, Dragisha Pavloviqin e shumë të tjerë. Pastaj kjo metodë u përdor edhe deri te eliminimi politik i politikajve shqiptarë të cilët, me vonesë historike kishin shfaqur mospajtim me politikën serbomadhe ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Edhe ndaj tyre, u përgatiten dhe u montuan akuza policore të konstruktuara dhe shantazhe të llojeve të ndryshme, deri në izolime dhe burgosje. Por, dhuna serbe dhe metoda e veprimit makiavelian të Milosheviqit në vitet e përmendura, sidomos kishin ardhur në shprehje kundër pjesëtarëve të Lëvizjes sonë ilegale kombëtare të rezistencës të cilët ndjekeshin, arrestoheshin, burgoseshin, denoheshin me dënime drakonike, e disa prej tyre nga dhuna e përdorur nëpër burgjet serbe, në atdhe u kthyhen të pa jetë.

Millosheviqi si dikur Garashanini
Derisa po përgatiste terrenin për të sulmuar Çekinë, Sllovakinë, Poloninë e Austrinë, Hitleri vazhdimisht propagonte se :” Rreziku nga lufta vie ngase Gjermania është e pabarabart në armatim me Anglinë dhe Francën”, përkatësisht se : “Marrëveshja e Versajës është burim i të gjitha fatkeqsive”. Hitleri ishte plot mendje kur deklaronte se:” Plani im që në fillim ka qenë hedhja poshtë e Traktatit të Versajës…”. Milosheviqi në të njëjtën frymë me arrogancën e nazizmit serb, kishte deklaruar se:”Serbia është e pabarabart me republikat tjera jugosllave, se për këtë pabarazi duhet gjetur shkaqet tek kushtetuta e vitit 1974. Burim i të gjitha fatkeqsive serbe është Kushtetuta e vitit 1974″. Politikanët jugosllavë të kohës, duke përfshirë këtu edhe ata shqiptarë, i kishin nënqmuar kërcnimet e Milosheviqit, e sidomos fuqinë shkatrruese të Serbisë që historikisht kishte një traditë egërsie ushtarake. Oportuniteti që dëshmuan republikat tjera në raport me kërcnimet serbe ndaj Kosovës dhe përgjithësisht popullit shqiptar, i mundësoj Milosheviqit ndër të tjera edhe rimilitarizimin e Serbisë në vitet 1987 – 1991. Milosheviqi, ngjashëm si dikur Hitleri, po i shfrytezonte rrethanat ndërkombëtare, kryesisht rënien e komunizmit dhe në vitet e sipërcituara po armatosej dhe po i forconte aleancat, në radhë të parë me malazezët dhe maqedonët. I trimëruar nga këto zhvillime, Milosheviqi, në bazë të mësimeve hitleriane, u thoshte këshilltarëve politik e ushtarak se tani mund të fillonte periudha e ekspanzionizmit fillimisht nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe në fund Kosova, të cilën që nga suprimimi i autonomisë së saj e mbante në regjim të hekurt, pra përmes huntës ushtarako – policore. Ndërkohë që, derisa po hartonte planet për invazionin në Slloveni e Kroaci, ai kërkonte, insistonte edhe në nivelin e atëhershëm jugosllav suprimimin sa më të shpejt të autonomisë së Kosovës dhe më pas edhe të Vojvodinës. Çështë e vërteta Milosheviqi edhe në luftën kundër autonomisë së Kosovës, si pikënisje kishte programin e vjetër të nacionalizmit serb, që në raport me çështjen shqiptare buronte që nga periudha e ideologut të pansllavizmit, Ilia Garashanini, të Nikolla Pashiqit, Ivo Andriqit, Vasa Çubrilloviqit, Aleksandar Rankoviqit, Dobrica Qosiqit e shumë të tjerëve, të cilët ishin të vendosur që të realizonin spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe hapsirat e ish Jugosllavisë. Vlerësimet e tyre ishin se me këtë do të pamundësohej një herë e përgjithmonë që shqiptarët në këto hapsira etnike të bëheshin faktor, demografik, politik, ushtarak, ekonomik, pra që etnikumi shqiptar të rrudhej mundësisht vetëm në suazata e kufijëve të sotëm politik të Shqipërisë. Së fundi regjimeve serbe, të të gjitha kohërave, Kosova u duhej pa ne shqiptarët. Shkolla e vjetër e politikës shtetërore serbe ndaj çështjes shqiptare, synonte që me spastrimin etnik nga elementi shqiptar të Kosovës, të krijonte rrethana demografike, politike, ushtarake, ekonomike që me elementin sllav të afrohej gjeografikisht edhe më pranë Shqipërisë. Janë këto në esencë, planet e vjetra të pansllavizmit ruso – serb të mbështetur, frymëzuar dhe përkrahur nga Kisha ortodokse ruse, serbe e ajo greke, për realizimin e të cilave Milosheviqi zhvilloi katër luftëra humbëse.

– Vijon –
Në numrin vijues:
Cilat ishin metodat të cilat i përdorte Milosheviqi për ti frikësuar popujt tjerë në ish Jugosllavi? Pse Armata jugosllave, Kisha serbe dhe Shërbimi sekret serb i zbulimit ishin përkrahës së Milosheviqit ? Si e armatosi Hitleri Gjermaninë në prag të fillimit të luftës dhe si e bërë po këtë gjë Milosheviqi në Serbi, veçmas pas rrëzimit të autonomisë së Kosovës?
Ashtu sikur populli gjerman që e përkrahte Hitlerin, edhe populli serb qëndronte i palëkundur prapa vozhdit të vet – Milosheviqit. Pse shtypi perëndimor, në vitet 1991, 1992 shkruante se Milosheviqi e ka “psikologjinë vrastare sikur Hitleri”!

Paraprak

Milosheviqi një kopje e keqe e Hitlerit ( 3 )

Tjetra

Slobodan Milosheviqi një kopje e keqe e Hitlerit ( 1 )

TË FUNDIT NGA RUBRIKA