fbpx

PDK i bashkohet Qeverisë Hoti: Pritet të zgjërohet koalicioni

Burime të mediave kanë mësuar se brenda PDK-së po diskutohet përfshirja në Qeverinë Hoti. Por, kur pyeten zyrtarisht kanë thënë se nuk kanë asgjë për të shtuar, përveç përgjigjeve zyrtare që i ka dhënë zyra për media e partisë.

Dorëzimi i aktakuzës ndaj kreut të PDK-së, Kadri Veseli, prej Prokurorisë Speciale, ka trazuar qetësinë në të cilën dukej se është kjo parti. Përveç që po diskutohet mundësia që Veseli të zëvendësohet me një kryetar të ri, nëse i konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale, aty po diskutohet edhe për ndryshime të tjera.

Mësohet se dy javët e fundit, brenda kësaj partie kanë nisur diskutimet për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Avdullah Hotit, në partneritet me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

Zyrtarë të lartë të PDK-së, të pyetur se a po e negociojnë hyrjen në Qeveri, kanë thënë se nuk kanë asgjë për të shtuar, përveç përgjigjeve zyrtare që i kanë dhënë zyra për media e partisë.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, dy javë më parë, pasi u publikuan aktakuzat, ka shkruar se partia e Kadri Veselit mbetet opozitare. Ai thoshte se “deri më tani” nuk është diskutuar për përfshirjen në Qeverinë Hoti.

“Partia Demokratike e Kosovës, është parti opozitare. Deri më tani, nuk është diskutuar kjo temë e hyrjes në qeveri, në asnjë nivel vendimmarrës të partisë. Çdo gjë që është duke u përfolur deri tani nëpër media, është vetëm në nivel të spekulimeve!”, ka shkruar Bytyqi në FB.

PDK-ja, nga zgjedhjet e 6 tetorit, ku doli parti e tretë, ka qëndruar në opozitë, ndërsa prej atëherë janë ndryshuar dy Qeveri.

Lëvizja Vetëvendosje, që prej 3 qershorit e shoqëron PDK-në në opozitë, e akuzon vazhdimisht partinë e Kadri Veselit, se indirekt po e përkrah Qeverinë Hoti.

Zyrtarët e PDK-së vazhdojnë të thonë se do të jenë parti opozitare deri në zgjedhje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar në fund të qershorit se ka dorëzuar aktakuzë ndaj kreut të PDK-së, Veselit, presidentit Hashim Thaçi, dhe disa të tjerëve, të cilëve nuk u janë bërë publikë emrat. Prokuroria Speciale akuzon këtë epror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, megjithatë aktakuza akoma nuk është konfirmuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se do të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij, ndërsa Veseli nuk është deklaruar nëse jep dorëheqje nga kreu i partisë.

Neogazeta
Shperndarje
Lajmi paraprak

Ngjarje e rëndë në Malishevë: Vdes 6-vjeçari që u aksidentua me veturën që e kishte nisur vetë

Lajmi tjetër

Gjykata Speciale u përgjigjet PDK-së e Presidencës: Punën e kryejmë pa ndërhyrje politike

MË TË FUNDIT nga KATEGORIA