Kostandini (Flavius Valerius Constantinus) ishte një nga ilirët e shumtë që arritën të ishin perandorë të Romës. I lindur në atë pjesë të Ilirisë (Nish), që sot është zaptuar nga serbët, rreth AD 274-337. Një perandor që sundoi 31 vjet (306 – 337). Emri i tij i lindjes ishte Flavius Valerius Constantinus. Ishte djali i Komandantit ilir Constantius Chlorus. Në vitin 305 ai ishte bashkëperandor. Një vit më pas u bashkua me të atin në Britani
Kostandini qe perandori i parë romak që mbështeti dhe toleroi krishterimin në perandorinë e tij. Shumë legjenda janë krijuar rreth emrit të tij. Ai eliminoi sistematikisht Cezarët e tjerë dhe zhduku tetrarkinë e Dioklecianit. Volteri e ka përkufizuar karakterin e tij në një fjali: “Objektivi kryesor i Kostandinit qe të ishte zot në gjithçka”.
Pa dyshim, ai e ka merituar titullin Kostandini “i Madh” për reformat që bëri në ushtri, në sistemin monetar, si dhe për integritetin e administratës së tij. Kjo ishte, gjithashtu, shprehje e ambicies së tij të pakufishme. Është i pamohueshëm fakti që ai ka lënë gjurmë të qëndrueshme në histori. Transferimi i kryeqytetit perandorak nga Roma në Kostadinopojë dhe adoptimi i fesë së krishterë ia ndryshuan rrënjësisht fytyrën perandorisë.
Kostandini u shpall August i Perëndimit, në Jork, në vitin 306, pas vdekjes së babait të tij, Konstancit, njëri nga 4 tetrarkët. Kostandini ishte mbajtur rob nga Galeri, Cezari i Perandorisë Perëndimore, për ta penguar që të trashëgonte funksionin e të atit. Por djali i ri arriti të shpëtonte dhe bëri që të dështonin të gjitha tentativat e ndjekjes, duke vrarë rrugës të gjithë kuajt e trupave perandorake që mund ta ndiqnin. Kostandini ushtronte pushtetin në Britaninë e Madhe dhe në Gali, por për të qeverisur të gjithë perandorinë, atij iu desh të mundte dy rivalë të fuqishëm. Në vitin 312, Konstandini marshoi mbi Romë që të rrëzonte tiranin Maksenc. Në urën e Milvianit, ai mundi një ushtri shumë më të madhe në numër, të dërguar për të mbrojtur qytetin. Lumi i fryrë shembi urën, duke vrarë mijëra vetë, midis të cilëve edhe Maksencin.
Sipas legjendës, Kostandini u kthye drejt krishterimit, sepse pa në qiell një vizion, që e porositi t’ia besonte fatin e ushtrisë së tij perëndisë së krishterë. Ai vuri si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që i qe shfaqur në qiell, me moton: “Me këtë shenjë, do të fitosh”. Por, megjithatë, ai e festoi fitoren sipas mënyrës tradicionale romake, me një Hark Triumfi. Sapo Kostandini e ndjeu (pas një pritjeje 9-vjeçare) se zotëronte forcat e nevojshme për të kaluar në sulm, ai e prishi aleancën e tij me Licinin, i cili qeveriste gjysmën tjetër të perandorisë. Ai e mundi Licinin një herë në Adrianopojë, pastaj e përzuri përfundimisht nga Bizanti në betejën e Krizopolisit.
Pasi konsolidoi pushtetin e tij, Kostandini përfundoi reformat administrative të ndërmarra nga Diokleciani. Këto reforma patën si rezultat forcimin e rolit të funksionarëve lokalë (më tepër se një administrate e fuqishme civile qendrore) dhe ndarjen pothuajse të plotë të funksioneve civile dhe ushtarake.
Historiani Zosimus e ka akuzuar Kostandinin se ka shkatërruar sistemin e mbrojtjes së Dioklecianit dhe se i kishte lënë kufijtë të pambrojtur nga sulmete barbarëve, duke i zhvendosur garnizonet e postave të kufirit drejt qyteteve. Por, pas rritjes spektakolare të numrit të ushtarëve në kohën e Dioklecianit ishte bërë i nevojshëm një racionalizim i ushtrisë. Masat e ndërmarra nga Knstandini patën si qëllim të thyenin pushtetin e ushtrisë, që kishte kurorëzuar dhe shkurorëzuar shumë perandorë gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
Dy ndryshimet spektakolare të ndërmarra nga Kostandini qenë ndërtimi i “Romës së Re”, Kostadinopojës, dhe përqafimi i krishterimit prej tij. Zhvendosja e qendrës gravitacionale të perandorisë në Lindje ishte filluar nga Diokleciani, por qyteti i Bizantit, i zgjedhur nga Kostandini, ishte shumë më tepër strategjik se ai i Nikomedisë, kryeqytetit të Dioklecianit. Mendohet se transferimi i kryeqytetit të perandorisë në Bizant ishte motivuar si nga një ndjenjë fajësie, ashtu edhe nga arsye strategjike. Në fakt, Roma ishte qyteti ku Kostandini (sipas zhurmës së përhapur) kishte vrarë gruan e tij, Fausta, dhe djalin Krisp. Cilado qoftë arsyeja e zgjedhjes së Kostandinopojës, qyteti u ndërtua me shpejtësi dhe u përurua me bujë të madhe që në vitin 330. Tani që kanë kaluar shumë kohë, mund të themi se është e qartë se zhvendosja e qendrës gravitacionale të Perandorisë Romake në Lindje shënon perëndimin e qytetërimit tradicional greko-romak.
Kostandini ishte shumë bujar kundrejt Kishës, edhe pse dhuratat e tjj, në përgjithësi, rridhnin nga plaçkitja e tempujve paganë. Kleri nuk paguante taksa, kështu që Kisha grumbulloi pasuri. Kostandini ndërtoi shumë kisha, prej të cilave mund të përmenden bazilika e Shën-Sofisë, në Kostandinopojë, dhe e Shën-Pjetrit, në Romë. Konstadini u mor personalisht me çështjet fetare dhe u bë ndërmjetës i Kuvendit ekumenik të Nikesë, i cili saktësoi parimet themelore të besimit të krishterë modern, duke konfirmuar natyrën hyjnore të Krishtit. Arianizmi, i cili i kundërvihej këtij parimi, u shpall heretik.
Kulti popullor i Mitrës ishte njëri nga kultet që mund të ketë rivalizuar me krishterimin. Adhuruesite Mitrës besonin se forcat e të mirës dhe të keqes, të dritës dhe errësirës, ishin vazhdimisht në luftë. Në anën e dritës gjendej perëndia Mitra, që paraqitej duke sakrifikuar demin kryesor të tufës, për të shtuar pjellorinë e tokës me gjakun e tij. Ky kult u përhap shumë në ushtrinë romake. Krishterimi primitiv u mbrojt me shumë tradita të mëparshme, të cilave u modifikoi temat dhe simbolet. Kështu, dita e 25 dhjetorit, e zgjedhur për të festuar lindjen e Krishtit, përkon me datën e lindjes së Mitrës dhe me datën e solsticit të dimrit, moment ky vendimtar i luftës së diellit kundër errësirës. Në artin bizantin, kurora e dritës e Krishtit të kujton pa dyshim, rrethin diellor që shoqëronte figurat e Mitrës.