fbpx

Pesë kushtet e PSD-së për votimin e ligjit për buxhet

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Partia opozitare, PSD, të premten i ka ndihmuar Qeverisë ta kalojë buxhetin për vitin 2019, i parashikuar të jetë në vlerë prej 2.3 miliardë euro.

Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka përmendur pesë kushtet të cilat Partia Socialdemokrate i ka vënë Qeverisë për votimin e ligjit për ndarjet buxhetore.

Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, të titulluar “pazari për vota vs negociatat për zgjidhjen e pabarazive dhe padrejtësive”, Sejdiu ka treguar se çka nënkupton “pazari” i PSD-së.

Sipas tij, kushtet kryesore të PSD-së janë: 

Paga të dinjitetshme;

Dialogu me Serbinë, shkëputet nga dora e një njeriu;

Ulja e zëvendës-ministrave në dy për çdo Ministri, nga 4 apo 5 sa janë sot;

Shkarkimin e Nenad Rikallo dhe funksionalizimi i Bujqësisë;

Kosova me Kod Personal për të gjithë meritorët dhe përjashtues për të gjithë mashtruesit;

“Në njërën anë: propagandë, manipulim, falsitet dhe demagogji. Populizëm djathtist. Profeci sektare për të grishur ithtarët. Pazar për vota personale. Asnjë rezultat për Republikën. Në tjetrën anë: politika publike, propozime, ide, alternativa. Negociata për zgjidhje të pabarazive dhe padrejtësive shoqërore. Rezultate konkrete për Republikën. Ndonëse pak më gjatë, dua të tregojë pak për 5 kushtet e PSD për votimin e ligjit për ndarjet buxhetore. Çka nënkupton ky “pazar” i joni për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Sejdiu, përcjell Telegrafi.

PAGA TË DINJITETSHME

“Pazari” i parë ka të bëjë me Ligjin për paga, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë! Kemi kushtëzuar votën tonë me leximin e dytë të këtij ligji, para votës në lexim të dytë për ndarjet buxhetore!

Sot, qytetarët e kësaj republike kërkojnë shërbime shëndetësore gjithandej, dhe kjo kryesisht për shkak të sistemit tonë të dobët shëndetësor! Sot, mantelbardhët janë profesioni më i sulmuar për ikje nga Kosova! Çdo ditë e më shumë, personat që ushtrojnë këtë profesion, largohen nga Kosova për shkak se paguhen me paga që as për së afërmi nuk shpërblejnë punën, investimin në vete dhe përgjegjësitë që kanë!

Tutje, ne si shoqëri investojmë shuma të mëdha në edukimin e mjekëve e teknikëve mjekësor për të lejuar që ata të ikin për paga më të dinjitetshme në vende tjera!

Beteja jonë duhet të jetë që ti mbajmë në Kosovë, e pra paga e dinjitetshme është fillimi! Pra, ky është “pazari” jonë i parë!

DIALOGU ME SERBINË SHKËPUTET NDA DORA E NJË NJERIUT!

“Pazari” jonë i dytë ka të bëjë me Ligjin për Dialogun.

Ky ligj mundëson ligjërisht rol qendror të Kuvendit të Republikës dhe vendimmarrje konsensuale gjatë procesit negociues. Një dialog me Serbinë që nuk është në dorën e një njeriut.

ULJA E ZËVENDËS-MINISTRAVE NË 2 PËR ÇDO MINISTRI NGA 4-5 SA JANË SOT!

“Pazari” jonë i tretë ka të bëjë me kalimin e ligjit për qeverinë në një afat kohor jo më larg se 3 muaj nga dita kur është votuar në lexim të parë ligji për ndarjet buxhetore! Ky “pazar” nënkupton uljen e numrit të zëvendës-ministrave në dy më së shumti për ministri! Një ulje drastike prej 4-5 sosh, sa janë sot!

SHKARKIMIN E NENAD RIKALLO DHE FUNKSIONALIZIM I BUJQËSISË!

“Pazari” jonë i katërt ka të bëjë me funksionalizimin e Ministrisë së Bujqësisë, e kjo nënkupton largimin e Nenad Rikallos nga kjo Ministri!

Sot importi kryesor janë gjërat ushqimore! Industria e përpunimit të ushqimit, si dhe fermat dhe bujqit e Kosovës kanë nevojë për strategji dhe udhëheqje që ndërton kapacitete për zëvendësim të importeve, e pra edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e vende të reja të punës! Kjo bëhet me Ministri të Bujqësisë të funksionalizuar!

KOSOVA ME KOD PENSIONAL PËR TË GJITHË MERITORËT DHE PËRJASHTUES PËR TË GJITHË MASHTRUESIT!

“Pazari” jonë i pestë ka të bëjë me ndërtimin e një komisioni të veçantë që do të hartojë kodin pensional të Kosovës!

Ligji për ndarje buxhetore i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plotë 465 milion euro në te për skema të tilla! Dhe këto mjete nuk janë të alokuara as në mënyrë të drejtë e as për ata që duhet t’i gëzojnë benefitet pensionale dhe invalidore!

Thjesht thënë në keto skema ka shumë profiter e mashtrues! Si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore.

Disa herë në Kuvend e kemi shprehur rrugën përpara për t’u siguruar që e kemi një sistem të mirëfilltë pensional, me ç’rast ta bëjmë një kod pensional, ku definohet edhe kontributi i secilit prej nesh, por edhe benefitet pensionale, që duhet gëzuar nga ata që meritojnë pensione, e në të njejtën kohë të pastrohen listat nga keqpërdoruesit e mundshëm!

Duke bërë këtë reformë jemi të bindur që buxhetit të Kosovës mund t’ia shpëtojmë afër 100 milion euro që nga vitit 2020! Paramendojeni nëse këto mjete të kursyera i ri destinojmë në digjitalizimin e arsimit fillor e të mesëm në Kosovë!

“Eh pra ky është “pazari” jonë i pestë! Po, nuk do t’i ndali këto “pazare” për aq kohë sa jam në politikë! Politika nuk është vetëm kundërshtim pa alternativë, e politikëbërja e mundshme vetëm nga pozicioni i pushtetit! Çdo ditë dhe nga çdo pozicion, për shumicën që ka pak!”, përfundon Sejdiu. 

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Frashër Krasniqi: Biseda me Dardanin ishte për një person të tretë, nuk largohem nga PSD

Tjetra

Nesër mblidhet Qeveria, nuk dihet nëse do të votohet projektligji për dialogun

TË FUNDIT NGA RUBRIKA