fbpx

PSD fton të gjitha partitë politike në përkrahje të projektrezolutës dhe projektligjit për dialog

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Nënkryetarët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, kanë ftuar sot partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës, që ta përkrahin projekt-rezolutën dhe projekt-ligjin e PSD-Nisma-Alternativa, për dialogun me Serbinë.

“Në konferencën e sotme për media, Visar Ymeri konstatoi se procesi i dialogut është i pranueshëm vetëm nëse rezulton me njohjen e ndërsjellë të palëve të përfshira në këtë proces, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe me përshpejtimin e proceseve integruese të shtetit tonë në NATO dhe BE”, thuhet në komunikatën për media.

Ai nënvizoi se në këtë proces, roli qendror i takon Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë Delegacionin Shtetëror, ku detyrat, përgjegjësitë e kompetencat e tij definohen dhe saktësohen me projekt-ligjin e propozuar nga PSD, Nisma dhe Alternativa.

“Delegacioni Shtetëror ka të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në procesin e dialogut. Vendimet brenda delegacionit do të jenë konsensuale, me pajtueshmërinë e të gjithë anëtarëve të tij. Delegacioni Shtetëror do të raportojë në mënyrë të rregullt rreth ecurisë së procesit të dialogut para Komisionit për mbikëqyrjen e dialogut”, shtoi Ymeri.

Duke e shpjeguar ndërlidhjen mes projekt-rezolutës dhe projekt-ligjit, nënkryetari Dukagjin Gorani tha se këto dokumente nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën. Kjo pasi që rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse ligji pa rezolutë nuk ka as kontekst dhe as shpjegim politik.

Ai potencoi se këto dokumente përkufizojnë mandatin, përfaqësimin dhe mbikëqyrjen e procesit të dialogut, e nuk kanë synim ta reduktojnë ose kufizojnë rolin e asnjë institucioni kushtetues.

“Roli qendror i Delegacionit Shtetëror është i domosdoshëm për t’i evituar mospajtimet e mundshme politike dhe konfuzionin publik, që do të mund të shkaktohej nëse procesi negociator do të zhvillohej në instanca paralele”, ka pohuar Gorani, duke sqaruar se të dy dokumentet janë harmonizuar tashmë me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe Alternativën, e se po pritet qëndrimi i PDK-së.

Ai ka bërë të ditur se projekt-rezoluta dhe projekt-ligji i PSD-Nisma-Alternativa ishin dorëzuar edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat nuk kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në takimet e përbashkëta për harmonizimin e përmbajtjes së tyre.

NEOGAZETA

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Gjykata Speciale fton për intervistim edhe Sami Lushtakun e Komandant “Dinin”

Tjetra

Ramush Haradinaj: Viti 2018 po na kurorëzohet me ngjyrat e shenjta të flamurit amerikan

TË FUNDIT NGA RUBRIKA