fbpx

Putin në Beograd: Qëndrimi i Rusisë për Kosovën është i njohur

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kanë diskutuar edhe rreth çështjes së Kosovës.

Në këtë drejtim, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Putin ka thënë se Rusia është në favor të zgjidhjes në përputhje me Rezolutën 1244.

Ai ka shtuar se “lëvizjet e fundit të Prishtinës – vendosja e një takse për prodhimet serbe dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës, kanë shkaktuar tension serioz”.

“Rusia ndan shqetësimin e udhëheqjes dhe të qytetarëve serbë, sepse këto lëvizje mund të çojnë në destabilizimin e Ballkanit”, ka shtuar Putin.

Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe, përcjell rel.

Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.

Në deklaratat e tij është theksuar edhe njëherë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.

Komentet e tij kanë qenë edhe në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë.

Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.

“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominues, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, është cituar të ketë thënë Putin.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Ramush Haradinaj pas takimit me komisionerin Hahn: Presim vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave

Tjetra

Komisioneri Hahn nuk jep detaje rreth takimit me Kryeministrin, thotë se diskutimi me Haradinajn ishte “i mirë dhe i hapur”

TË FUNDIT NGA RUBRIKA