fbpx

Qytetarët në borxhe, nuk kanë paguar miliona për ujë, ngrohje e mbeturina

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Borxhi i qytetarëve të Kosovës ndaj shtetit ka arritur në miliona euro. Vetëm për ujë, mbeturina e ngrohje, vlera e borxheve të kosovarëve sillet rreth 90 milionë euro. Më së shumti borxh del t’i kenë ujësjellësit, gjersa nuk është e vogël as shuma e parave që ata nuk ia kanë paguar me vite “Pastrimit” dhe “Termokosit”. Gjithë këto borxhe, kompanitë që ofrojnë këto shërbime po mendojnë t’i vjelin përmes padive në gjykata, përmbaruesve privatë ose duke bërë shkyçje individuale për borxhlinjtë, shkruan Gazeta Express.
Muaj për muaj, borxhet e kosovarëve ndaj shtetit vetëm sa po shkojnë duke u grumbulluar. Që nga paslufta, vlera e borxheve të tyre arrin në miliona euro.

Ndonëse, dëshirojnë që t’i kenë 24 orë në dispozicion këto shërbime, kur vjen puna për të paguar faturat po del se ata nuk janë të rregullt fare. Vetëm për ujë, mbeturina e ngrohje, vlera e borxheve të kosovarëve sillet në rreth 90 milionë euro.

Më së shumti borxh, ata po del t’i kenë Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”, gjersa nuk është e vogël as shuma e parave që ata nuk i kanë paguar me vite “Pastrimit” e “Termokosit”.

Që nga paslufta, borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve vetëm ndaj ujësjellësit arrin në rreth 50 milionë euro.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka deklaruar se për konsumatorët të cilët nuk paguajnë faturat janë duke bërë shkyçjet nga shërbimet e ujësjellësit.

“Me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka dy apo më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Brenda katër muajve janë realizuar 700 shkyçje individuale, janë vizituar mbi 3500 konsumatorë borxhlinj dhe janë dërguar te përmbaruesi privat rreth 1200 lëndë të konsumatorëve që nuk janë të rregullt ndaj shërbimeve ndaj ujësjellësit”, ka deklaruar Mjeku.

Ndonëse në shumë më të vogël, edhe borxhi që qytetarët i kanë kompanisë që merret me pastrimin e mbeturinave mbetet mjaftë i lartë.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, Arbnore Ademi i ka thënë Gazetës Express se borxhi i qytetarëve ndaj kësaj kompanive deri në dhjetor të 2017’ës sillet rreth 20 milionë euro.

Deklaron se këto borxhe datojnë që nga periudha e pasluftës e deri më tani.

“Deri me dt. 31.12.2018 borxhi i qytetarëve ndaj Kompanisë “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë ka qenë20,447.646 € për faturën e mbeturinave. Ndërsa, deri në muajin Tetor 2018 borxhi i qytetarëve ndaj Kompanisë “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë përfshin borxhin afro 20 milion euro”, thuhet në përgjigjet e Ademit drejtuar Gazetës Express.

Tërë këto borxhe, kjo kompani po tenton që t’i kthejë përmes përmbaruesve privat.

“Kompania “Pastrimi”, është dukë përdorur formën e dërgimit të lëndëve tek Përmbaruesi Privat, pra për ata klient të cilët janë borxhlinj dhe nuk kryejnë obligimet e tyre sa i përket faturës së mbeturinave”, tha Ademi për Express.

Edhe vlera e borxheve ndaj ngrohtores arrin në miliona euro.

Që nga paslufta e deri më tani borxhi total, që mbi 13 mijë konsumatorë i kanë ndaj “Termokos”-it kap shifrën e 17 milionë eurove.

Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka i ka thënë Gazetës Express se ndaj konsumatorëve borxhlinj do të dërgohen vërejtje, ngritën padi dhe se do të bashkëpunojnë me përmbaruesit për të inkasuar borxhet.

Derisa deklaron se si masë e fundit do të bëhen edhe shkyçje individuale.

“Ndaj konsumatorëve borxhlinj do të ndërmerren të gjitha masat ligjore në fuqi për t’i detyruar ata që të shlyejnë borxhet, që kanë ndaj kompanisë sonë, duke përfshirë dërgimin e vërejtjeve, ngritjen e padive në gjykata, bashkëpunimin me përmbaruesit për të inkasuar borxhet, ndërsa si masë e fundit do të bëhen edhe shkyçje individuale”, thuhet në përgjigjet e Ukës drejtuar Expressit.

E pyetur rreth borxheve që kanë institucionet ndaj këtyre kompanive, Uka thotë se institucionet janë parapaguese të rregullta të faturave të ngrohjes dhe asnjë prej tyre nuk kanë borxhe ndaj ndërmarrjes.

Ndërkohë, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë ditë më parë kishte deklaruar se mënyra më efikase e inkasimit apo pagesës së gjobave do të ishte krijimi i një departamenti i veçantë, i cili do të bënte ekzekutimin e përshpejtuar të këtyre vendimeve.

“Mënyrë më efikase është që në kuadër të Gjykatës Themelore të krijohet një departament i veçantë i cili do të bënte ekzekutimin të përshpejtuar të vendimeve, qoftë të Policisë qoftë të gjykatave, në mënyrë që të mos shkojë rasti të përmbaruesi privat, pasi që përmbaruesit me veprimet e tyre shumë shpesh e rrezikojnë ekzistencën e qytetarit”, kishte thënë Shala për media.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Zyrtare: AKR emëron dy ministra të ri

Tjetra

Tërheqja e Bankës Botërore nga “Kosova e Re”, sinjal edhe për investitorët e huaj

TË FUNDIT NGA RUBRIKA