fbpx

Sa deputetë i ka Kurti e sa Molliqaj në Kuvendin e Kosovës

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Edhe më tutje është shumë herët të thuhet se cila është fuqia politike e Kurtit dhe e Molliqajt, por nisur nga disa aleanca të mëhershme dhe të tanishme, statuse në Facebook, intervista televizive, reagime të familjarëve, pak a shumë mund të dihet se çfarë fuqie politike ka Kurti e çfarë Molliqaj me aleatët e tij, në të gjitha nivelet e fuqisë politike të kësaj partie
Në të gjithë nivelet e politikës, qoftë në ato partiake, qoftë në ato shtetërore, dy grupet rivale të LVV-së po i testojnë forcat. Ndarja, ose pozicionimi, ka shkuar edhe deri në burgjet e Kosovës, atje ku po e vuajnë dënimin zyrtarët e kësaj partie të gjykuar për vepra të terrorizmit. Prej katër të dënuarve, dy janë me Dardan Molliqajn e dy me Albin Kurtin.

Në anën tjetër, ndarja nuk është hiç më e vogël edhe në pushtetet komunale. Nisur nga postimet e mbrëmshme në FB, vëllai i kryetarit të Kamenicës, Qëndronit, është rreshtuar në krah të Dardanit, lidhur me polemikën nëse ish-sekretari i përgjithshëm i LVV-së mund t’i përfaqësojë në një debat televiziv të organizuar në KTV.

Dy prej familjeve të të dënuarve për terrorizëm, me anë të një letre kërkuan nga Molliqaj që të mos i përfaqësonte fëmijët e tyre në Rubikon. Lidhur me këtë reagoi Gëzon Kastrati, duke e quajtur absurde kërkesën e këtyre dy familjeve. Sipas Gëzonit, Molliqaj vazhdimisht, gjatë gjithë procesit ishte kujdesur për katër të burgosurit. Kjo lë të kuptohet se në të njëjtën linjë është edhe Qëndroni, kryetar i ri i Kamenicës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, edhe më tutje nuk ka thënë asnjë fjalë, asnjë status, lidhur me ndarjet në LVV. Ahmeti ka marrë pjesë në mbledhjen diskutabile të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ndonëse reagimi i tij vetëm në atë mbledhje ka qenë disponimi jo në nivel.

Rrethi afër Ahmetit, siç është Fisnik Ismaili, Visar Ymeri, djali i tezës së Shpendit, tashmë i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre që janë kundër Kurtit për të kandiduar për kryetar të partisë.

Kryetari i zgjedhur i Prizrenit, gjithashtu, nuk ka folur. Ajo çfarë dihet për të është afërsia e madhe që ai e ka me Aida Dërgutin. Kjo e fundit, kur Haskuka e fitoi Prizrenin, e kishte falënderuar deputetin e Nismës për Kosovë, Zafir Berishën, për fitoren e Haskukës, pa e përmendur askund Kurtin.

Pra, në nivel të pushtetit komunal mbështetja për krahun e Molliqajt, e ku padyshim është edhe Ymeri bashkë me rrethin e tij, është më e madhe sesa ajo e Kurtit.

Mbetet enigmatike edhe më tutje se cila është fuqia politike e Kurtit dhe ajo e Molliqajt në Kuvendin e Kosovës. Pra, në rast ndarjeje, siç ka paralajmëruar Ymeri, sa deputetë do t’i kishte krahu i Kurtit e sa do t’i kishte krahu i Molliqajt?

Sipas disa përllogaritjeve në bazë të statuseve në FB, në bazë të aleancave të mëhershme, në bazë të qëndrimeve të fundit, duket që fuqia e njërit dhe tjetrit grup edhe në nivel deputetësh është jashtëzakonisht e nivelizuar.

Pro Kurtit janë 14 deputetë të Vetëvendosjes, kurse në krahun tjetër janë rreshtuar 10-11 deputetë. Më poshtë është lista me emrat e deputetëve që janë pro dhe kundër Albin Kurtit.

Albin Kurti

Glauk Konjufca, me Kurtin

Albulena Haxhiu, me Kurtin

Donika Kadaj – Bujupi, me Kurtin

Liburn Aliu, me Kurtin

Driton Çaushi, me Kurtin

Sami Kurteshi, me Kurtin

Besa Baftiu, me Kurtin

Ismajl Kurteshi, me Kurti

Fatmire Kollçaku, me Kurtin

Valon Ramadani, me Kurtin

Arbërie Nagavci, me Kurtin

Xhelal Sveçla, me Kurtin

Fitore Pacolli – Dalipi, me Kurtin

Dardan Molliqaj

Visar Ymeri, me Molliqajn

Dardan Sejdiu, me Molliqajn

Aida Dërguti, me Molliqajn

Fisnik Ismaili, me Molliqajn

Dukagjin Gorani, me Molliqajn

Ali Lajçi, neutral

Faton Topalli, me Molliqajn

Salih Salihu, neutral

Mytaher Haskuka, mendohet se është me Molliqajn

Frashër Krasniqi , me Molliqajn

Qëndron Kastrati, me Molliqajn

Arbër Rexhaj, neutral

Shqipe Pantina, me Molliqajn

Drita Millaku, neutrale

Saranda Bogujevci, me Molliqajn

Por ka edhe një pjesë të deputetëve, më saktësisht gjashtë deputetë, për të cilët ende nuk dihet se cilin grup po e mbështesin.

Rexhep Selimi mendohet se është shumë i afërt me Shpend Ahmetin, rrjedhimisht edhe ai thuhet të jetë pjesë e grupit kundër Albin Kurtit. Por, deri më tash, ish-komandanti i njohur i luftës nuk është deklaruar publikisht rreth preferencave të tij për kryetarin e ardhshëm të Vetëvendosjes.

Deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, ndërkaq, duket totalisht i çorientuar përballë luftës së brendshme në parti. Përpara se të identifikohet si krah i Kurtit apo Molliqajt, për Mikullovcin është më e saktë të thuhet se është thjesht i painformuar.

Sali Salihu, deputeti i kësaj partie nga Vitia, mund të cilësohet si neutral në këtë luftë, ashtu sikurse edhe Ali Lajçi, Arbër Rexha e Drita Millaku.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

100 ditët e Qeverisë, LDK-ja godet Haradinajn: E dëmtove buxhetin, e izolove vendin, po qeveris me Kanun

Tjetra

Prokurori heq dorë nga dëshmia e Kadri Veselit, Kurti fyen trupin gjykues

TË FUNDIT NGA RUBRIKA