fbpx

VV paralajmëron Hotin: të gjithë kundër Asociacionit

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Më 28 shtator në Bruksel pala kosovare dhe ajo serbe do të diskutojnë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kryeministri Hoti thotë se do të diskutohet për këtë çështje, por nuk mund të ketë marrëveshje për të – pa pasur marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Analistët thonë se Kosovës nuk i duhet as njohja nga Beogradi, nëse pranohet Asociacioni. E, Albulena Haxhiu nga VV, tha se partia e saj do të kundërshtojë fuqishëm këtë krijesë.

Kryeministri Avdullah Hoti të premten pas një vizite në Parlamentin Evropian kishte deklaruar se Asociacioni do të themelohet pas nënshkrimit të marrëveshjes finale me Serbinë e cila do të nënkuptojë njohjen reciproke mes dy shteteve.

“Asociacioni do të themelohet në të ardhmen pas nënshkrimit të marrëveshjes finale, sepse pasi parimi i dialogut është, ne nuk pajtohemi për asgjë deri sa nuk pajtohemi për të gjitha dhe brenda listës së çështjeve me të cilat ne pajtohemi e para është njohja reciproke, pra nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke mes dy vendeve dhe më pas do ta adresojmë edhe këtë çështje, por gjithmonë dhe plotësisht me Kushtetutën dhe vendimin që e ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë marrëveshje në vitin 2015. ”, ka thënë Hoti nga Brukseli të premten.

Por nga Lëvizja Vetëvendosje po paralajmërojnë se do ta kundërshtojnë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se projektin e Asociacionit do ta kundërshtojnë sikur para 7 vjetëve.

“Ne jemi duke përcjellur me vëmendje situatën aktuale politike dhe është shumë e rëndë. Ka po ashtu mungesë të transparencës lidhur me këtë proces. Ashtu siç kemi kundërshtuar këtë projekt që 7 vite, njësoj do të vazhdojmë nëse shohim tendencat për jetësimin e atij projekti të rrezikshëm”, tha Haxhiu.

Ish-deputetja e VV’së tha se kryeministri Hoti i është nënshtruar plotësisht Serbisë dhe se njohja nga shteti serb nuk na duhet nëse bosnjëzohet Kosova.

“Tani, Hoti i është nënshtruar plotësisht Serbisë. Deri tani ka vepruar të kundërtën e asaj çfarë ka thënë. Qoftë me reciprocitetin apo minishengenin. Shkuan në Washington kinse për njohje thanë por në vend të njohjes nga Serbia, hoqën dorë nga Republika e Kosovës. Zajednica nuk duhet të jetësohet as para dhe as pas njohjes. Integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit janë të pacenueshme e të paprekshme madje as temë nuk duhet të jenë. Zajednica bosnjëzon Kosovën dhe është projekt shumë i rrezikshëm. Ç’na duhet njohja e Serbisë nëse ndahet e bosnjëzohet vendi”, tha Haxhiu.

E pyetur nëse deputetët do të votojnë për një marrëveshje tjetër që lidhet me Asociacionin që potencialisht mund të sillet në Kuvend për ratifikim, Haxhiu u shpreh se nuk mund ta paragjykojë votën e deputetëve por sa më shumë kundërshtime ndaj marrëveshjeve të dëmshme më mirë për vendin.

“Nuk mund ta paragjykoj votën e deputetëve. Fatkeqësisht, nga ai vend shpesh janë votuar marrëveshje shumë të dëmshme pas presioneve që janë bërë. Sa më shumë kundërshtime kundër marrëveshjeve të tilla të dëmshme, është aq më mirë për vendin dhe qytetarët”, duke shtuar se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe dëmet e saj janë të mëdha

Ajo tha se VV’ja do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese çfarëdo dokumenti që prodhohet në bisedime që parasheh themelimin e ndonjë Asociacioni.

“Secilin dokument të kontestueshëm pranë Gjykatës Kushtetuese do ta dërgojmë. Rasti i ngjashëm nuk është me zotimet në Ëashington. Zotimet si të tilla nuk mund të kontestohen nga GJK. Por nëse pjesë problematike të saj duan t’i jetësojnë atëherë çfarëdo dokumenti që prodhohet mund të kontestohet dhe do ta bëjmë”, tha ajo.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’ua bëjë të qartë qytetarëve se cili lloj i Asociacionit do të themelohet siç ka deklaruar pas vizitës që i ka bërë Parlamentit Evropian.

“Nuk po e dijmë se për çfarë Asociacioni po flet kryeministri Avdullah Hoti, nëse kryeministri e ka dhënë një premtim në Parlamentin Evropian se do të krijohet asociacion ai është i obliguar që të sqarojë për qytetarët e vet se për çfarë asociacioni bëhet fjalë. Në anën tjetër kur është nënshkurar marrëveshja për asociacionin në 2015 në marrëveshje ekziston pjesa që duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të vlerësohet kushtetutshmëria e tij. Gjykata Kushtetuese siç e dijmë të gjithë ka vlerësuar se 23 nene e kanë shkelur kushtetutën kështu që I bie se ai version i Asociacionit është i papranueshëm realisht nuk ekziston, dhe si i tillë është kundër Kushtetutës së Kosovës. Me këtë logjikë i bjen që nëse po flasim për aranzhim të të drejtave të serbëve dhe për një avancim të të drejtave të tyre, kjo duhet me u bë e ditur se për çfarë po bëhet fjalë. Unë personalisht e po besoj asnjë prej qytetarëve nuk e kanë idenë se për çka po flet Avdullah Hoti. Ai duhet ta sqarojë se a po flet tash për një Asociacion që duhet të niset prej fillimit, apo që duhet të gjendet një mes në mes të kushtimisht thënë vendimit që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe Asociacionit me kompetenca ekzekutive çfarë është nënshkruar në vitin 2015 nga Isa Mustafa”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje, Mushkolaj i tha se Kosovës nuk i duhet njohja nga Serbia nëse një Asociacion ose organizëm i tillë ka pushtet ekzekutiv.

“Qasja e kryeministrit për mua është problematike sepse nëse Asociacioni ka kompetenca ekzekutive e të cilat në njëfarë forme do të mund ta destabilizonin funksionimin e shtetit të Kosovës, çfarë logjike ka me të njoftë Serbia në një shtet të tillë ku Asociacionin e ki si pengesë, respektivisht ti po i bënë thirrje Serbisë kushtimisht gjithmonë po flasim nëse Asociacioni do të ketë pushtet ekzekutiv do të jetë nivel i tretë që ta njoh vendin ndërkohë që një Asociacion apo organizëm i tillë shtetin e bënë jofunksional. Pra nuk na duhet njohja nga Serbia për një shtet jofunksional në kuadër të të cilit ekziston një Asociacion ose çkado qoftë tjetër që ka pushtet ekzekutiv”, ka thënë Mushkolaj.

Ai poashtu u shpreh se as serbëve e askujt në Kosovë nuk do duhej t’i mundësohej një nivel i tretë i pushtetit.

“Logjikisht nuk do të duhej që serbëve t’iu mundësohet ose në përgjithësi në Kosovë të mundësohet një nivel i tretë i pushtetit, përshkak se çdo Asociacion ose sidoqoftë ndryshe që e ka emrin e futet si nivel i tretë i pushtetit është jashtëzakonisht i dëmshëm, nënkupton autonomi territoriale për serbët në Kosovë, mund ta quajnë asociacion, shoqatë, organizatë por me rëndësi janë kompetenca që i ka ai asociacion, kshtu që delegacioni i Kosovës, në këtë rast edhe kryeministri Hoti duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në kompetencat që mund t’i ketë një organizëm që do të mund të krijohej në të ardhmen edhe që ka me u diskutu nesër dhe më 28 shtator në Bruksel”, tha Mushkolaj.

Kurse, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj i tha Express se formimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar i Kosovës, por që ky Asociacion duhet të reflektojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Përderisa në vitin 2013 Kosova dhe Serbia kish lidhur marrëveshjen mbi Parimet, ku ndër të tjera Kosova kishte shprehur vullnetin për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Si rezultat i kësaj marrëveshje mbi parimet delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së pas nj varg takimesh kishin hartuar Statutin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe i cili ishte shpallur kundër kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në shumë dispozita të saj. Përderisa, formimi i këtij asociacioni tanimë është zotim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe i njëjti duhet të formohet në dialogun Kosovë-Serbi, i njëjti duhet të reflektojë Akrgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht të jetë në harmoni me frymën e Kushtetutës dhe frymën e rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, tha Miftaraj.

Sipas tij, çdo devijim nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nënkupton shkelje dhe cenim të rendit kushtetues.

“Çdo devijim nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do të nënkuptonte edhe shkelje të Kushtetutës dhe cenim i rendit kushtetues në Kosovë. Respektivisht, themelimi i tij duhet të promovoj të drejtat e komunitetit serb në Kosovë aq sa e lejon Kushtetuta e Kosovës dhe nuk ndikon në prishjen e balancit apo ndërtimit të strukturave të reja që mund të destabilizojnë funksionimin politik dhe juridik të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Themelet e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishin vendosur në Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmbante 15 pika. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 19 prill 2013 mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij të atëhershëm serb, Ivica Daçiq.

Ish-kryeministri Thaçi pas nënshkrimit të marrëveshjes, të njëjtën e kishte cilësuar si historike.

Projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje ishte miratuar më 27 qershor 2013 në Kuvendin e Kosovës me 84 vota pro, tri kundër dhe një abstenim.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan katër marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Njëra nga marrëveshjet e nënshkruara nga ish-kryeministri Isa Mustafa ishte edhe Marrëveshja për parimet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë marrëveshje, ish-kryeministri Mustafa kishe thënë se është nënshkruar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, duke shtuar se vendimi për krijimin e Asociacionit është marrë në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe s’është asgjë e re.

Marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 për Asociacionin, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tij.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor 2015 me shumicë votash kishte vendosur që Asociacioni do të themelohet siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Kushtetutese, po ashtu kishte konstatuar se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë-Parimet e Përgjithshme/Elementet kryesore nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës gjegjësisht në 23 nene të saj.

Por kundër negociatave për Asociacionin në Bruksel ka dalur presidenti Hashim Thaçi i cili në cilësinë e kryeministrit më 2013 kishte nënshkruar marrëveshjen e parë të parimeve mes Kosovës dhe Serbisë që parashihte edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Thaçi sot ka deklaruar se diskutimi për temën e Asociacionit në Bruksel është fillimi i instalimit të Republikës Serbe brenda Kosovës.

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, ka thënë Thaçi.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

Osmani thumbon Hotin: Në dialog po hapen tema që janë shpallur antikushtetuese

Tjetra

A e ka fjalën këshilltari i Thaçit për zv.kryeministrin Driton Selmanaj apo për Ismet Beqiri, kur flet për “klub valltarësh”

TË FUNDIT NGA RUBRIKA