fbpx

Xhavit Haliti tegon kush i morri 70 mijë markat që u destinuan për t’i blerë armatim Adem Jasharit

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com

Xhavit Haliti, thotë se e ndjen për obligim ndaj Rifat Jasharit të thotë disa fjalë për paratë që u destinuan për t’i blerë armatim Adem Jasharit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri prej ish themeluesve të UÇK-së, Xhavit Haliti ka folur edhe për raportet me qeverinë e Bujar Bukoshit në atë kohë.

Haliti në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka thënë se takimin e parë me Bukoshin e ka pasur në Zvicër dhe ata janë takuar pa shoqërues.

“Bujari na ka ndihmuar aq sa ka dashur. Nevojat nuk kanë qenë shumë të mëdha, por nuk na ka ndihmuar aq sa ne i kemi kërkuar”.

Ish veprimtari i LPK-së thotë se fondi “Vendlindja Thërret” nuk ishte i unifikuar në shtete e BE-së, por në një kohë ai fond u mbyll nga qeveria zvicerane.

“Pas mbylljes së fondit “Vendlindja Thërret” janë hapur fonde tjera, janë mbledhur para me thasë, por unë nuk kam qëndruar në Shqipëri. Unë i kam të shkruara ato para që kam marrë dhe jap përgjegjësi”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Duke folur për disa të holla që ishin dërguar në Kosovë për Adem Jasharin, Haliti thotë se e ndien obligim të japë disa shpjegime për hatër të Rifat Jasharit.

“Ato para kanë ardhur në Tiranë dhe i kanë lënë te Shaip Muja. Pastaj kanë bërë një marrëveshje me Azem Sylën dhe a kanë blerë apo jo armë unë nuk e di. Kur kemi qenë në SHBA, Azem Syla ka kërkuar nga Rexhep Selimi në telefon që të dërgohen armë sa më shumë te Adem Jashari. Më duket që kanë qenë 70 mijë marka…Rexhepi nuk ka përgjegjësi siç mund të mendohet sot”.

Haliti thotë se megjithatë nuk kishte qenë e lehtë të blesh armatim në vlerën prej 70 mijë markash në Shqipëri dhe t’i dërgosh në Drenicë.

“Unë mbaj mend edhe një rast, kur Bekim Berisha- Abeja kishte kërkuar një snajper. Atij i kishin dërguar kutinë e snajperit, por brenda ishte një armë tjetër e jo snajper”.

Ai shpjegon më tej se ka dëgjuar se disa armë megjithatë i janë dërguar Adem Jasharit, por thotë se duhet pasur parasysh edhe rrethanat sepse dikush ka mundur të bartë më shumë armë e dikush më pak.

“Armë janë dërguar edhe në vende tjera, por disa armë megjithatë i janë dërguar Adem Jasharit”, thotë ndër të tjera Xhavit Haliti.

Neogazeta
- Ndarje nga Neogazeta.com
Paraprak

LDK bën homazhe te varri i Presidentit Rugova, nga aty Agim Veliu kërkon zgjedhje të reja

Tjetra

Lista Serbe mbyllet ne Kuvend, deri sa të vijë ti vizitojë komisioneri Hahn, paralajmërojnë katastrofë humanitare

TË FUNDIT NGA RUBRIKA